Tech

Gjykata urdhëron ndalimin e padisë së Twitterit ndaj Elon Muskut

Një gjykatës ka urdhëruar ndalimin e padisë së Twitterit kundër miliarderit Elon Musk, në mënyrë që ai të ketë më shumë kohë për të përfunduar blerjen e kompanisë së mediave sociale në vlerë prej 44 miliardë dollarësh.

Megjithatë, nëse marrëveshja nuk finalizohet, gjyqi do të ricaktohet për në nëntor, raportoi Reuters të premten.

"Nëse transaksioni nuk mbyllet deri në orën 17:00 të 28 tetorit 2022, palët udhëzohen të më kontaktojnë me email atë mbrëmje për të marrë datat e gjykimit të nëntorit 2022”, ka thënë të enjten gjyqtarja e Delaware, Kathaleen McCormick.

Në një deklaratë, Twitter tha se mezi pret që ta përmbyllë blerjen e kompanisë nga Musku.

"Ne mezi presim të mbyllim transaksionin me 54.20 dollarë për aksion deri më 28 tetor”, thuhet në deklaratë.

Si pjesë e ofertës së tij për ta blerë Twitterin, Musk ka bërë thirrje që kompania të heqë plotësisht padinë kundër tij, duke argumentuar se nuk ishte më e nevojshme.

Por Twitteri argumentoi se heqja e çështjes do t'i jepte Muskut një afat kohor "të pacaktuar" për të mbyllur marrëveshjen.

Musku nga ana e tij akuzoi Twitterin për pengim të procesit.

"Nuk ka nevojë për një gjyq të përshpejtuar për të urdhëruar të pandehurit të bëjnë atë që po bëjnë tashmë dhe ky veprim tani është i diskutueshëm. Megjithatë, Twitteri nuk do të marrë po për një përgjigje. Çuditërisht, ata kanë këmbëngulur për të vazhduar me këtë proces gjyqësor, duke vënë në mënyrë të pamatur marrëveshjen në rrezik dhe duke luajtur kumar me interesat e aksionerëve të tyre”, tha ekipi ligjor i Muskut në një dosje gjyqësore.