Ekipi i Googleit ka nisur një përpjekje për të bindur sa më shumë përdorues të YouTubeit që të paguajnë për abonim. Shumë përdorues së fundmi kanë kritikuar Googlein sepse kompania ka rritur numrin e reklamave që u shfaqen përdoruesve gjatë kohëzgjatjes së videove në YouTube, shkruan TechnoNews.
Një numër më i madh i reklamave do të thotë më shumë para për kompaninë, por mund të ndikojë gjithashtu në rritjen e numrit të përdoruesve të YouTube Premium, sepse disa nga përdoruesit që nuk duan të shikojnë kaq shumë reklama mund të vendosin të paguajnë një abonim mujor. Atyre që paguajnë abonim në YouTube Premium nuk u shfaqen reklamat.
Një mënyrë tjetër që kompania dëshiron të motivojë përdoruesit të paguajnë një abonim është të shfaqë përmbajtje në rezolucion 4K vetëm për përdoruesit e YouTube Premium. Edhe pse nuk ka ende asnjë informacion zyrtar për këtë nga Google, disa përdorues raportuan se po njoftohen se, nëse duan të shikojnë një video të caktuar në rezolucion 4K, duhet të abonohen.
Për momentin, ky njoftim po u shfaqet përdoruesve brenda aplikacionit mobil YouTube dhe jo në aplikacionet e desktopit dhe TV-së. Nuk dihet nëse Google planifikon të ofrojë përmbajtje video 4K përmes abonimit vetëm në telefonat inteligjentë ose në të gjitha pajisjet.
Duke marrë parasysh që shumë përdorues sot kanë televizorë dhe monitorë 4K, është e qartë se kjo lëvizje e Googleit, nëse ndodh me të vërtetë, me siguri nuk do t'i gëzojë sepse, nëse nuk paguajnë abonim mujor, nuk do të mund të shikojnë më përmbajtje video në atë rezolucion.
-
5 tetor 2022 11:54
-
Shpërndaje në: