Tech

Koreja e Jugut kryen testin e dytë të raketës hapësinore pas dështimit të parë

Koreja e Jugut kreu testin e dytë të lëshimit të raketës së saj hapësinore, pasi dështoi në herën e parë. Raketa u ngrit të martën nga Qendra Hapësinore Naro në bregun jugor të Koresë së Jugut drejt orbitës.

Siç raporton Reuters, raketa e parë “Nuri”, u lansua me sukses, por nuk ia doli ta vendoste satelitin në orbitë.

Jugkoreanët po tentojnë t’i dërgojnë 1.5 tonë në orbitë, rreth 800 kilometra mbi Tokë. Ky shtet po synon ta rifillojë programin e tij hapësinor dhe t’i arrijë qëllimet për rrjetin 6G, satelitët spiun dhe sondat hënore.

Tentativat për misione hapësinore Koreja e Jugut i nisi vite më parë, fillimisht në bashkëpunim me Rusinë. Shumica prej tyre kishin dështuar.

Në testin e fundit të zhvilluar në tetor, raketa i përfundoi sekuencat e saj të fluturimit, por nuk arriti ta vendoste ngarkesën në orbitë pasi motori u dogj në fazën e tretë, më herët sesa ishte planifikuar.