Tech

BE-ja do t’i detyrojë Googlen dhe Metan të heqin pornografinë e fëmijëve në internet

BE-ja do t’i detyrojë Googlen dhe Metan të heqin pornografinë e fëmijëve në internet, maj 2022

Googlet, Metas dhe ofruesve tjerë të shërbimeve në internet do t’u kërkohet të heqin pornografinë e fëmijëve në internet, sipas rregullave të propozuara nga Komisioni Evropian, raportoi Reuters të mërkurën.

Kompanitë që nuk respektojnë rregullat do të përballen me gjoba deri në 6 për qind të të ardhurave të tyre vjetore.

Ekzekutivi i BE-së tha se propozimi i shpallur të mërkurën synon të zëvendësojë sistemin aktual të zbulimit dhe raportimit vullnetar nga kompanitë, që deri tani ka qenë i pamjaftueshëm për të mbrojtur fëmijët që shfrytëzohen për stimulim seksual.

Komisioni Evropian ka përmendur më shumë se një milion raportime të abuzimit seksual të fëmijëve në bllokun 27-anëtarësh në vitin 2020, ndërsa më tepër se 60 për qind e materialeve të abuzimit seksual të fëmijëve në mbarë botën janë të vendosura në serverët e BE-së.

"Rregullat e propozuara paraqesin detyrimin për ofruesit e shërbimeve përkatëse në internet për të vlerësuar rrezikun e keqpërdorimit të shërbimeve të tyre për shpërndarjen e materialeve të abuzimit seksual të fëmijëve”, thuhet në deklaratën e Komisionit.

Drafti i rregullave të BE-së duhet të shpërndahet me vendet e BE-së dhe ligjvënësit e bllokut përpara se të bëhen ligj.