Tech

“Apple” redukton prodhimin e “iPhone 13”, shkaku i mungesës së çipave

Aksionet e “Apples” kanë shënuar rënie për 1.2 për qind të martën, duke reflektuar rënien më të madhe në tregun amerikan të aksioneve dhe në Azi, posaçërisht për shkak të frikës se ndikimi i vazhdueshëm i problemeve të shkaktuara nga COVID-19 dhe zinxhiri i furnizimit do të ndezin inflacionin e shfrenuar dhe do ta pengojnë rritjen

Gjiganti teknologjik “Apple” mund ta zvogëlojë numrin e telefonave “iPhone 13s” që do t’i prodhojë gjatë këtij viti deri në 10 milionë, për shkak të mungesës së çipave kompjuterikë në mes të një zinxhiri furnizimi në mbarë botën, i cili ka ndikuar që Shtëpia e Bardhë të paralajmërojë se “do të ketë gjëra që njerëzit nuk mund t’i blejnë” për Krishtlindje.

“Apple” pritej të prodhonte 90 milionë njësi të modeleve të reja të “iPhone” këtë vit, por u ka thënë prodhuesve se numri do të jetë më i ulët ngase furnizuesit e çipave, përfshirë “Broadcom” dhe “Texas Instruments”, po përballen me vështirësi për të ofruar komponentë, ka raportuar “Bloomberg” të martën.

Aksionet e “Apples” kanë shënuar rënie për 1.2 për qind të martën, duke e reflektuar rënien më të madhe në tregun amerikan të aksioneve dhe në Azi, posaçërisht për shkak të frikës se ndikimi i vazhdueshëm i problemeve i shkaktuar nga COVID-19 dhe zinxhiri i furnizimit do të ndezin inflacionin e shfrenuar dhe do ta pengojnë rritjen.

Në korrik “Apple” parashikoi ngadalësimin e rritjes së të ardhurave dhe bëri të ditur se mungesa e çipave, e cila kishte filluar të godiste aftësinë e saj për t’i shitur produktet Mac dhe iPad, gjithashtu do ta pengonte prodhimin e “iPhone”.

“Texas Instruments” gjithashtu dha një parashikim të butë të të ardhurave atë muaj, duke lënë të kuptohet do të ketë mungesë çipash për pjesën tjetër të vitit.

“Apple” nuk pranoi të flasë rreth raportit të fundit të “Bloombergut”. As “Broadcom” dhe “Texas Instruments” nuk iu përgjigjën kërkesave për të folur rreth çështjes. Kjo është shenja e fundit e vështirësive serioze që ndikojnë në rrjedhën e tregtisë globale, pasi rimëkëmbja kaotike ekonomike nga pandemia COVID-19 shkakton mungesë të energjisë, përbërësve, mallrave të gatshëm, punës dhe transportit.

Së bashku me kompanitë teknologjike, prodhuesit e makinave kanë qenë ndër më të goditurit nga mungesat - veçanërisht të gjysmëpërçuesve - ku rreth 7.7 milionë më pak automjete që do të bëhen këtë vit. Shumë fabrika amerikane e kanë ndaluar prodhimin këtë vit për shkak të mungesës së pjesëve. Mungesat e energjisë dhe rritja e çmimeve të energjisë kanë sjellë mbyllje të fabrikave në qendrat e mëdha prodhuese të Azisë, si Kina dhe Koreja e Jugut, duke shtuar vonesat tashmë kritike në të gjithë sistemin logjistik global.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë, duke u përpjekur për t’i lehtësuar ngushticat e furnizimit që po i ngufatin portet, autostradat dhe hekurudhat amerikane, paralajmërojnë se amerikanët mund të përballen me çmime më të larta dhe me rafte bosh këtë sezon të Krishtlindjeve. Konsumatorët amerikanë, të cilët nuk janë mësuar të mos kenë në dispozicion mallra, duhet të jenë fleksibilë dhe të durueshëm, kanë thënë zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë të martën.

“Do të ketë gjëra që njerëzit nuk mund të gjejnë”, ka thënë një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë për agjencinë e lajmeve “Reuters”. “Megjithëkëtë, shumë prej këtyre mallrave shpresojmë se mund të zëvendësohen me gjëra të tjera. Nuk mendoj se ka arsye për panik, por të gjithë ndiejmë frustrim dhe duhet durim”.

Frika po shtohej edhe në Mbretërinë e Bashkuar në lidhje me mungesat në prag të Krishtlindjeve pasi Felixstowe, porti më i madh i kontejnerëve në vend, u detyrua t’i largonte anijet nga Azia për shkak të një numri të madh të kontejnerëve, shkaktuar nga mungesa e shoferëve të kamionëve. “AP Moller-Maersk”, kompania më e madhe në botë e transportit të kontejnerëve, ka thënë se mungesa e punës do të thoshte se kontejnerët nuk po merreshin dhe nuk ktheheshin aq shpejt, duke sjellë ngarkesë të madhe.

“Problemi tani është se nuk kemi të njëjtën shpejtësi të rrjedhjes së kutive që lëvizin brenda dhe jashtë”, ka thënë Lars Mikael Jensen, kreu i rrjetit lindje-perëndim në Maersk. “Gjersa kemi më pak kamionistë, duhet më shumë kohë për t’i nxjerrë kutitë nga terminali, kështu që ata lihen të qëndrojnë atje”. Shqetësimi për mungesat - dhe veçanërisht çmimet më të larta të ushqimit – ka ndikuar që kryeministri britanik Boris Johnson të emërojë një këshilltar të ri – ish-shefin ekzekutiv të supermarketit “Tesco David Lewis” - si përpjekje për t’i zgjidhur bllokimet në zinxhirët e furnizimit.