Tech

Apple po e kthen iPhonen në Samsung Galaxy

Descriptive Text

Pas shumë akuzave për shumë vjet drejt Samsungut se po kopjon ide dhe dizajn, Apple duket se është duke u inspiruar nga rivali i madh për iPhonen e ri.

“Wall Street Journal” raporton se iPhone i ri do të ketë shumë elemente të ngjashme me pajisjet e njohura të Samsungut.

Ekrani i lakuar

WSJ raporton se iPhone i ri do të ketë ekran të lakuar. Kjo veçori ishte prezantuar fillimisht nga Samsungu në vitin 2014 te telefoni Galaxy Note Edge dhe muaj më parë përmes Galaxy S6, transmeton Koha.net. Edhe telefoni i ardhshëm i kompanisë, Galaxy S8, do të ketë ekran të lakuar.

Ekrani OLED

Sipas këtij raportimi, iPhone i ri do të ketë teknologjinë e njëjtë të ekranit të quajtur OLED. Kjo teknologji është më efikase sa i përket baterisë dhe shfaq ngjyrat më mirë se ekranet LCD që Apple i ka përdorur që nga iPhone i parë. Samsungu është i njohur për ekranet OLED dhe i ka përdorur qe disa vjet.

USB-C

Kjo është lëvizja më shokuese nga Apple. Siç raporton WSJ, Apple do të largojë kabllon e veçantë për mbushje duke e marrë një standard të ri, USB-C, që përdoret nga të gjitha pajisjet tjera, sidomos telefonat Android, si ata që bën Samsungu. Kjo do të ishte kthesë e madhe për Apple-in që preferon kabllo të veçanta për të mbajtur përdoruesit brenda “ekosistemit” të Apple-it.

Të tjerat

Apple së fundmi i është bashkuar një grupi industrial Wireless Power Consortium, duke shtuar spekulimet se iPhone i ri do të ketë mundësinë e mbushjes pa kabllo, raporton “BusinessInsider”. Apple po ashtu pritet të largojë edhe butonin kryesor për t’i lënë vend “çelësit” digjital.