Tech

Një kompani zvicerane po teston një robot për të dezinfektuar avionët

Një robot që vret viruset me dritë ultraviolete është duke u testuar në aeroplanët zviceranë në mënyrë që të rikthejë besimin e pasagjerëve dhe të ringjallë industrinë e aviacionit që po vuan pasojat e pandemisë COVID-19.

Kompania zvicerane "UVeya" aktualisht po kryen prova të tilla të robotit të saj me kompaninë e aeroportit "Dnata" në aeroplanët "Embraer" "Helvetic Airways", një kompani ajrore charter në pronësi të miliarderit zviceran Martin Ebner.

"Prodhuesit e aeroplanëve duhet të certifikojnë më tej këto pajisje dhe të studiojnë ndikimin e dritës së tyre UV në veshjet e brendshme, të cilat mund të zbehen pas shumë dezinfektimesh", tha bashkëthemeluesi i “UVeya” Jodoc Elmiger.

Ai shpreson që robotët e tyre pastrues mund të zvogëlojnë frikën e njerëzve nga fluturimi, edhe kur COVID-19 po qarkullon, sepse, siç tha ai, kjo është një teknologji e provuar që është përdorur për më shumë se 50 vjet në spitale dhe laboratorë dhe është shumë efikase.

Elmiger deklaroi se një robot mund të dezinfektojë një aeroplan për 13 minuta nga fillimi deri në fund.

Ekipi i tij ka bërë tre prototipa deri më tani, njëri prej të cilëve u demonstrua në një aeroplan të Helvetica në Cyrih, ku trafiku ajror ra me 75 për qind vitin e kaluar.

Drejtuesit e "Dnata" shpresojnë që prodhuesit e avionëve t'i miratojnë këta robotë dhe Elmiger vlerëson se çmimi i tyre mund të jetë rreth 15.000 franga zvicerane, pasi qeveritë po kërkojnë zbatimin e masave të reja për të siguruar që pasagjerët në aeroplan të mbrohen nga infeksioni. \ KosovaPress