Tech

Energji falas përpara vitit 2030

Descriptive Text

Prodhimi i energjisë nëpërmjet fuzionit ka qenë gjithnjë aspirata më e lartë e shkencës.

Investues nga e gjithë bota besojnë se kjo do të jetë e ardhmja, me energji të prodhuar falas dhe që nuk dëmton mjedisin. Megjithëse duket ende larg, sipas një raporti të VOA, një kompani në Angli thotë se deri në vitin 2030 do të mundësojë furnizimin me energji të prodhuar nëpërmjet fuzionit.

Janë intriguese pamjet e brendshme të reaktorit të energjisë “Tokomak”, i cili krijon për herë të parë një masë plazme super të nxehtë.

Ekipi që krijoi këtë reaktor të sapo vënë në punë, synon që brenda këtij viti ta nxehë atë deri në temperaturën 15 milionë gradë celcius. Kaq është edhe temperatura e diellit. Kjo lloj temperature u nevojitet atomeve për t’u shkrirë dhe për të prodhuar energji nëpërmjet fuzionit.

Por që të arrihet prodhim masiv energjie, ekipi duhet të prodhojë temperatura edhe më të larta.

“Synojmë të krijojmë temperatura të larta në reaktor. I kemi vënë vetes objektivin prej 100 milionë gradësh celcius”, thotë inxhinieri kryesor i projektit, dr. Bill Huang.

Ekipi thotë se do t’ia dalë mbanë për rreth një vit.

“Fuzioni është një lloj teknologjie që nëse bëhet e shfrytëzueshme, mund të shumëfishohet me shpejtësi në mbarë botën përpara vitit 2050 dhe mund të ketë një ndikim të madh pozitiv për ndryshimet klimatike”, thotë David Kingham, i firmës “Tokamak Energy”.

Mund t’u urojmë fat atyre, por shkencëtarët më të mirë kanë dekada që punojnë për këtë projekt pa ndonjë sukses.