Tech

Studim mbi ekstremizmin online në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni të Veriut

Akademia e Studimeve Politike në Tiranë publikoi sot një studim mbi ekstremizmin e dhunshëm, që qarkullon nëpër platformat online në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.

Në raportin e monitorimit thuhet se media sociale në gjuhën shqipe dhe faqe web-i vazhdojnë të përhapin propagandën e ekstremizmit të dhunshëm dhe ndjekësit e tyre u përkasin kryesisht grupmoshave 15-25 vjeç.

“Mesazhe ekstremiste dhe radikalizim në gjuhën shqipe nuk janë hequr apo bllokuar nga rrjetet sociale, edhe pse janë publikuar disa vite më parë” - theksohet në raport.

Monitorimi përfshiu elementët e ekstremizmit të dhunshëm, që qarkullojnë online në gjuhën shqipe në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, të cilat kishin rreth 500 njerëz të rekrutuar gjatë konfliktit në Siri dhe Irak gjatë viteve 2014-17.

Drejtuesi i Akademisë së Studimeve Politike, Erjon Tase, thotë se me këtë monitorim kemi parë majën e ajsbergut në hapësirën online, dhe kjo do të thotë se ai rrezik ekziston,

“Ka propagandë radikalizuese të aksesueshme online, edhe pse kanë kaluar 5-6 vite, dhe shumica e ndjekësve të tyre janë të moshave 15 - 25 - 30 vjeç nga shtresa të varfra në periferi të qendra të mëdha” - tha ai.

Zoti Tase thotë se nga një studim i mëparshëm mbi mënyrat e rekrutimit të shqiptarëve doli se afro 30 për e komunikimeve ishin propagandë fetare dhe 70 për qind të tjera ishin premtime të rreme për një jetë më të mirë dhe zgjidhjen e halleve të këtyre personave, të pakënaqur nga varfëria, diskriminimi dhe pozicioni i tyre në shoqëri.

Edhe tani kështu vazhdon, duke mbajtur me miqësi dhe pëlqime përmes rrjeteve sociale mbi materiale propagandistike në fb, twiter, instagram dhe youtube me fjalime, citate, me këngë dhe me lojëra të dhunshme online.

“Interneti i kapërcen kufijtë shtetërorë dhe një material i postuar në shqip është i lexueshëm në gjithë botën nga çdo shqipfolës, të cilët gjenden në shumë shtete e disa kontinente, por një pjesë e madhe e pëlqimeve haptas online dhe shikime apo shkarkime janë nga rajoni Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut. Pjesa tjetër janë të paidentifikueshëm si vendndodhje apo si individë” - thotë zoti Tase.

Studimi thekson se rreziku i shpërndarjes së propagandës ekstremiste dhe radikalizimi online nëpëmjet internetit dhe rrjeteve sociale në gjuhën shqipe vazhdon të jetë i lartë dhe nuk duhet harruar apo lënë pas dore, ndaj nevojiten rregullime të tjera ligjore për të ofruar një hapësirë më të sigurt në internet nga ekstremizmi online/VOA.