Tech

Përdoruesit e iPhone 11 ankohen se në ekran po u shfaqet një nuancë e gjelbër

Së fundmi, një numër përdoruesish të iPhone 11, iPhone 11 Pro dhe iPhone 11 Pro Max, po raportojnë se në ekran po u shfaqet një nuancë e gjelbër.

Ky problem shfaqet kur përdoruesit hapin telefonin, apo kur i kanë të aktivizuar opsionet “Dark Mode” dhe “Night Shift”, shkruan “ubergizmo”. Nëse mendoni se kjo ka të bëjë me probleme harduerike, mund të mos jetë domosdoshmërish këtu problemi.

Sipas disa përdoruesve, ky problem ka filluar të shfaqet kur ata kanë pranuar përditësimin 13.5 të sistemit operativ iOS, transmeton KOHA. Kjo tregon se ky është problem softuerik dhe duket se nuanca e gjelbër largohet pas një kohe të shkurtër, edhe pse ndërkohë rishfaqet dhe largohet përsëri.

Aktualisht nuk është e mundur të rregullohet ky problem, kështu që përdoruesit duhet të mësohen me të, por Apple është duke punuar në përditësimin 13.5 të iOS-it dhe besohet se do të rregullohet së shpejti ky problem.