Tech

AI-ja i lexon librat me zërat e autorëve

Motori kinez i kërkimit “Sogou” është duke krijuar imitime të inteligjencës artificiale për t’i lexuar romanet e popullarizuara në zërat e autorëve.

Ky motor i paralajmëroi avatarët “e gjallë” të autorëve kinezë Yue Guan dhe Bu Xin Tian Shang Diao Xian Bing – të krijuar nga videoregjistrimet - në konferencën China Online Literature+.

Vitin e kaluar, “Sogou” i lansoi dy lexues të lajmeve AI, të cilët ende përdoren nga agjencia qeveritare e lajmeve Xinhua.

Oreksi për audio-libra në Kinë është në rritje, duke i pasqyruar kështu trendët në Perëndim, shkruan “Koha Ditore”. Instituti hulumtues kinez i medieve pret që tregu të jetë më shumë se dyfish midis viteve 2016 dhe 2020, me 7.8 miliardë juanë kinezë (900 milionë paund) në vit.

Tani është një proces i thjeshtë për ta përdorur teknologjinë tekst-në-të folur për ta gjeneruar shpejt një version audio të një libri, duke përdorur zëra sintetikë të digjitalizuar.

Por shumica e njerëzve i preferojnë audio-librat që kanë “narracione profesionale” nga autorë, aktorët ose figurat e famshme publike.

Dhe tani, përparimet në mësimin e makinerive dhe teknologjitë e të folurit në tekst nënkuptojnë që zërat e digjitalizuar po bëhen më të gjallë.

Për shembull, kompania “Lyrebird” ua mundëson klientëve të krijojnë “avatar vokal” me porosi vetëm nga një regjistrim një minutësh i zërave të tyre.

Në faqen e saj të internetit, kompania i tregon shërbimet e saj me dy audio regjistrime të ish-presidentit amerikan Barack Obama dhe presidentit aktual amerikan Donald Trump, të krijuara me përdorimin e të mësuarit të makinës.

Ndërkohë, start-up kompania e teknologjisë me bazë në Londër “DeepZen” thotë se teknologjia e saj e të folurit sintetik mund të krijojë versione të shumta të një audio-libri brenda disa orësh, duke e shkurtuar kështu kohën dhe kostot për rreth 90%.