Tech

Pas sanksioneve amerikane, Huawei i kthehet lidhjeve me Rusinë

Kompania kineze Huawei ka fituar të drejtat e pronësisë intelektuale për sistemin e njohjes së fytyrës, projektuar nga kompania ruse "Vokord", raporton Seebiz, sipas së cilës vlera e kontratës është rreth 50 milionë dollarë.

Gazeta ruse "Vedomosti" shkruan se disa punonjës të kompanisë ruse do të transferohen në Huawei.

Filiali rus i Huawei së bashku me Huawei Digital Technology në Hong Kong thuhet se do të bëhet pronar i patentës së pronësisë intelektuale kur është fjala për teknologjinë dhe pajisjet e identifikimit të fytyrës.

Kompania e re do të quhet "Eagle softlab", dhe pritet që njësia ruse të zotërojë 99.99% të aksioneve.

Ndryshe, në mes të majit të kaluar, Qeveria amerikane vendosi Huawei në listën e zezë, dhe e kufizoi blerjen e pjesëve rezervë dhe shërbimeve në tregun amerikan pa lejen e Uashingtonit.

Këtij vendimi iu bashkua edhe Google, i cili paralajmëroi kompaninë kineze se pas 90 ditësh nuk do të jetë në gjendje të përdorë sistemin operativ të gjigantit teknologjik amerikane në telefonat Huawei.