Tech

Bien shitjet e “Apple”

Descriptive Text

“Apple” ka shitur më pak “iPhone” në tremujorin e parë të 2017-s, krahasuar me një vit më parë.

Firma kaliforniane, që pritet të nxjerrë në treg telefonin e ri të saj, tha se kishte shitur 50.8 milionë “iPhone” në këtë periudhë, duke shënuar një rënie prej 1 për qind.

Bosi i kompanisë, Tim Cook fajësoi për këtë një frenim të shitjeve, në pritje të “iPhone”-t të ri.

Aksionet e firmës kanë rënë me afro 2 për qind në bursa, pasi më herët kishin shënuar një rekord, kjo për shkak të pritshmërive të larta për rezultate më të mira të bilancit.

“Apple” raportoi një rritje prej 4.6 për qind në të ardhurat totale të kompanisë, shifër kjo pak më e ulët nga ajo që ishte parashikuar nga analistët.

Shërbimet si “Apple Pay”, “iCloud” dhe “App Store” kanë ndikuar pozitivisht te shitjet, duke regjistruar një rritje prej 18 për qind të shitjeve.

Tim Cook, ndërkohë, foli për rritje të shitjes së “Apple Watch”, por edhe “AirPod”-ëve dhe kufjeve “Beats”. Pavarësisht rënies së shitjeve për njësi, të ardhurat për “iPhone”-t kanë shënuar rritje me 1 për qind, për shkak të shitjeve të kënaqshme të telefonit më të madh dhe më të shtrenjtë të kompanisë, “Iphone 7 Plus”.

Sidoqoftë, analistët kanë nënvizuar se të ardhurat e “Apple” nga “iPhone”-t janë 7 miliardë dollarë më pak sesa në të njëjtën periudhë të dy viteve më parë. Për këtë rënie fajësohet pjesërisht edhe Kina, ku të ardhurat nga “Iphone”-t ranë me 14 për qind, edhe pse zyrtarët e “Apple” e justifikojnë rënien me luhatjet në këmbimin e monedhave.

Në shkallë globale, fitimet e tremujorit të parë të vitit për “Apple” ishin 11 miliardë dollarë, 4.9 për qind më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të 2016-s. Kompania, ndërkohë, ka lajmëruar se do të japë 50 miliardë dollarë shtesë për aksionerët.