Tech

Bashkëthemeluesi i Facebookut thotë se është koha që rrjeti social të shuhet së ekzistuari

Foto: Reuters

Bashkëthemeluesi i Facebook Inc dhe ish-cimeri i Mark Zuckerbergut, Chris Hughes, ka bërë thirrje për shkatërrim të rrjetit social në një vështrim të publikuar në “New York Times”.

“Jemi një komb me traditë në frenimin e monopoleve, pavarësisht se sa qëllimmirë mund të jenë liderët e këtyre kompanive. Fuqia e Markut është e paprecedent dhe jo-amerikane”, ka shkruar Hughes në vështrimin e publikuar të enjten në këtë LINK.

Facebooku ka në pronësi rrjetin më të madh social me mbi 2 miliardë përdorues në mbarë botën. Kompania ka në pronësi edhe WhatsAppin, Messengerin dhe Instagramin, të cilët përdoren nga 1 miliard njerëz veç-e-veç.

Hughes ishte bashkëthemelues i Facebookut më 2004 në Harvard me Shefin Ekzekutiv të kompanisë, Zuckerberg dhe me Dustin Moskovitzin. Ai hoqi dorë nga Facebooku më 2007 dhe më vonë tha në një postim në LinkedIn se kishte fituar gjysmë miliardi dollarë gjatë punës së tij tre vjeçare.

“Kanë kaluar 15 vjet nga bashkëthemelimi i Facebookut në Harvard, dhe ka një dekadë që nuk kam punuar në këtë kompani. Por kam një ndjenjë të zemërimit dhe përgjegjësisë”, tha Hughes, i cili më vonë punoi si strateg i punës online për Barack Obaman gjatë fushatës së tij presidenciale më 2008.

Kompania nuk është përgjigjur menjëherë ndaj kërkesave për të komentuar shkrimin.

Si pasojë e një sërë skandaleve të sigurisë dhe privatësisë që goditën kompaninë, Facebooku akuzohet për shpërndarje të papërshtatshme të të dhënave që u përkisnin 87 milionë përdoruesve me kompaninë e konsulencave politike britanike, tani jo-funksionale, “Cambridge Analytica”.

Hughes tha se herën e fundit që ka takuar Zuckerbergun ka qenë vera e vitit 2017, disa muaj pas skandalit me “Cambridge Analytica”.

“Marku është njeri i mirë, i sjellshëm. Por jam i zemëruar se fokusi i tij për rritje e ka çuar atë të sakrifikojë sigurinë dhe civilizimin për klikime”, thotë Hughes.

“Dhe jam i brengosur se Marku është rrethuar nga një ekip që ia përkrah besimet e tij në vend se t’ia sfidojë ato”.

Hughes nuk është i vetëm në kërkesën për të shkatërruar Facebookun. Disa ligjvënës kanë bërë thirrje për shkatërrimin e kompanive të mëdha të teknologjisë.

Kandidatja presidenciale nga Demokratët, Senatorja Elizabeth Warren, në mars ishte zotuar se nëse zgjidhet presidente, do të shkatërronte Facebookun, kompaninë Amazon.com dhe Google-in e kompanisë Alphabet Inc për të promovuar konkurrencën në sektorin e teknologjisë.