Tech

Twitter Lights Out e ofron dark modin e vërtetë në iOS

Dark Mode ose Night Mode është një karakteristikë mjaft e popullarizuar kohët e fundit. Përveç lehtësimit të shikimit të përmbajtjes dhe reduktimit të lodhjes së syve, modet e këtilla të errëta e zvogëlojnë shpenzimin e baterisë, sidomos në pajisjet me ekrane OLED, raporton SlashGear.

Jo të gjitha Dark Modet janë të njëjta - disa prej tyre janë më shumë të kaltra se të zeza. Kështu është rasti edhe me modin ekzistues Night Mode të Twitterit, kështu që rrjeti social ka vendosur ta prezantojë modin e ri "Lights Out", i cili vjen në versionin e zi.

Lights Out vjen si funksion i veçantë në kuadër të Dark Modit origjinal. Përdoruesit do të duhet që fillimisht ta startojnë Dark Mode, përpara se opsionet e reja të vihen në dispozicion për ta. Së bashku me Lights Out vjen edhe sfondi i zi, i cili do të duhej të jetë më i lehtë për shikim dhe do të përdorë më pak bateri, shkruan KOHA Ditore.

Lights Out e sjell me vete edhe funksionon e ri, i cili tashmë është në dispozicion në Android ka dy vjet. Në vend të opsionit të thjesht on/off, Night Mode mund të ndryshohet automatikisht në agim apo muzg.

Aktualisht, funksioni Lights Out është në dispozicion vetëm për iOS, ndërsa versioni për Android dhe web i Twitterit do të jenë në dispozicion së shpejti.