Tech

Nvidia sjell kartelën grafike GeForce GTX 1660 6GB

Nvidia ka publikuar zyrtarisht kartelën grafike GeForce GTX 1660 6GB, pasardhësin e modelit të popullarizuar GTX 1060 6GB. Me një çmim fillestar prej 220 dollarësh, GTX 1660 bazohet në të njëjtën arkitekturë 12nm "TU116" sikurse edhe modeli GTX 1660 Ti, i cili u publikua muajin e kaluar, ndërkohë që ka më pak bërthama CUDA dhe ndërfaqe më të ngadalshme të memories, sipas TechPowerUp.

Nvidia e krijoi GPU-në GeForce GTX 1660 duke i pamundësuar dy prej 24 SM-ve Turing në TU116, që rezultoi në 1408 bërthama CUDA, 88 TMU dhe 48 ROP. Kompania gjithashtu e përdor memorien 8 Gbps GDDR5 në vend të 12 Gbps GDDR6, gjë që do të bëjë që nënsistemi memorik të jetë për 33% më i ngadalshëm.

Image

GPU-ja e ka një takt pune prej 1530MHz, me një boost prej 1785MHz, i cili është pak më i lartë se ai tek GTX 1660 Ti, shkruan KOHA Ditore.

Kartela grafike GeForce GTX 1660 do të jetë në dispozicion nga ana e partnerëve të shumtë të NVIDIA-s, ndërsa kompania u kujdes që të paktën një model të lansohet me një çmim fillestar prej 220 dollarësh. Deri më tani, variantet e veta të kartelave grafike GeForce GTX 1660 6GB i kanë prezantuar MSI, Gigabyte, EVGA, Palit dhe prodhuesit e tjerë.