Tech

Edhe Merkeli u prek nga hakerët që sulmuan politikanët gjermanë

Hakerët kanë sulmuar të dhënat e qindra politikanëve. E prekur është edhe Angela Merkel dhe të gjitha partitë. Përveç AfD-së. Të dhënat janë publikuar në internet.

Ministrja e Drejtësisë Katharina Barley flet për sulme "të rënda". Media e parë që ka raportuar për këtë ngjarje është Rbb, ku thuhet se hakerët kanë sulmuar të dhënat e politikanëve dhe të artistëve, si telefona celularë, chat-e private, adresa dhe dokumente të tjera, të cilat më pas janë publikuar.

Politikanët gjermanë bien pre e sulmeve kibernetike

Ato janë publikuar së pari në një llogari Twitter-i, e cila për një kohë të gjatë ka mbetur e pazbuluar. Të prekur janë politikanë nga të gjitha partitë në Bundestag, përveç partisë populiste të djathtë "Alternativa për Gjermani" (AfD).

Edhe kancelarja gjermane Angela Merkel (CDU) është ndër personat e sulmuar nga hakerët, shkruan gazeta "Bild". Thuhet se ndër dokumentet e kapura nga hakerët janë një numër faksi, një adresë e e-mailit dhe shumë letra, që ka dërguar kancelarja apo i janë dërguar asaj.

Deri tani nuk dihet saktë sa të ndjeshme janë të dhënat e sulmuara. Por flitet se në mesin e dokumenteve të kapura janë edhe të dhëna nga xhirollogaritë. Gazeta "Bild" thotë se ndër personat e prekur më së shumti janë ekologjisti Robert Habeck, sekratari i përgjithshëm i SPD-së Lars Klingbeil dhe ish-shefi i SPD-së Sigmar Gabriel.