Tech

“Galaxy S8” thyen rekord

Më shumë se një milion telefona të rinj “Galaxy S8” janë porositur përpara kohe në Korenë e Jugut, duke vendosur një rekord të ri për tregun e brendshëm të Samsungut.

Shifra përbën një lajm të mirëpritur për Samsungun, kjo edhe pas fiaskos që regjistroi kompania me “Galaxy Note 7”, që ishte shumë vulnerabël ndaj shpërthimit të baterive.

Tërheqja e “Note 7” nga tregu i kushtoi kompanisë më shumë se 5 miliardë dollarë dhe ajo u detyrua më pas ta anulonte tërësisht produktin.

Tani, analistët thonë se Samsungu ka nevojë për një lançim të mirë të “S8”-s. Javën e kaluar, Samsung tha se mekanizmi i inteligjencës artificiale, i quajtur “Bixby”, që konsiderohet si rival i “Siri”-t te Apple, nuk do të jetë plotësisht operacional në kohë për daljen e “Galaxy S8” në tregjet amerikane.

Telefoni më i ri i Samsungut ka nisur të porositet në SHBA që nga fundi i marsit, ndërkohë që “Galaxy S8” do të dalë në shitje në Korenë e Jugut, SHBA dhe Kanada, të premten.

Samsung, ndërkohë, nuk ka bërë të ditur numrin e porosive në SHBA, por vetëm ka nënvizuar se porositë kanë qenë më të shumta nga sa pritej, dhe se reagimi në shkallë globale ka qenë i mirë nëse bëhet krahasim me “Galaxy S7”.

Klientët që porosisin telefonat “S8”, si rregull i marrin ata para daljes në dyqane.