Tech

Rreziku nga inteligjenca artificiale nuk duket më jorealist

Nga kopjet e “Blade Runner” deri tek makinat mizore të “Matrix”-it, fantashkenca e ka paraqitur gjithnjë inteligjencën artificiale si një kërcënim për llojin njerëzor gati të marrë drejtimin.

“Një rrezik që tani nuk duket më jo realist, madje pionierët si Bill Gates, Elon Musk dhe Stephen Hawking janë shprehur shpesh herë mbi rreziqet që rrjedhin nga zhvillimi i makinerive të tilla”, thotë Marcello Restelli, doktor në inteligjencën artificiale në Politeknikun e Milanos.

“Rreziku i lidhur me inteligjencën artificiale do të jetë gjithnjë e më i madh kur t’i kërkohen makinave vendime gjithnjë e më të rëndësishme”, shpjegon Restelli

“Nuk duhet të shqetësohemi shumë për inteligjencën artificiale, por më shumë për mungesën e inteligjencës natyrore të njeriut. Në mënyrë që makinat të mos transformohen në një bumerang, duhet të vendosen norma të reja etike”, thekson ai.

“Megjithatë, inteligjenca artificiale nuk është një entitet mbinjerëzor dhe i pakontrollueshëm, por vetëm një bashkësi kodesh softuer që i mundëson një makine të marrë vendime në mënyrë autonome”, kujton eksperti.

“Më e padëmshmja është e ashtuquajtura inteligjencë artificiale e dobët, që merret me zgjidhjen e problemeve specifike, si të luash një lojë shahu, të përkthesh një tekst ose të drejtosh një makinë, që janë detyra të sakta dhe të formalizuara për të cilat teknikat në dispozicion janë shumë të zhvilluara duke mundësuar që të ketë një performancë të krahasueshme me atë të njeriut ose më të lartë”, tha ai.

“Por një vëmendje më të madhe duhet t’i jepet inteligjencës artificiale të fortë, që kërkon të zhvillojë aftësi komplekse si krijimtaria, mendimi abstrakt dhe shpikja. Kjo mund të sjellë një inteligjencë më të lartë se sa ajo e njeriut dhe frika është që mund të manipulojë sjelljen tonë”, paralajmëron Restelli./atsh