Storie suksesi

Arben Merkoçi

Shqiptarët e mërguar jashtë janë një mundësi e shkëlqyer për të ndihmuar Shqipërinë. Ata në fakt e kanë ndihmuar dhe vazhdojnë të japin kontributin e tyre. Ajo që mungon është ndoshta një organizëm/institucion i veçantë në qeverinë shqiptare që duhet ta shikojë me shumë vëmendje dhe të gjejë mekanizma të ndryshme për përfshirjen e shqiptarëve që janë jashtë në aktivitete të ndryshme me interes për vendin.

1. Në cilin vit keni mërguar?

Jam larguar nga Shqipëria në vitin 1993 për studime post-doktorature në Universitetin e Padovës në Itali.

2. Çfarë ju kujtohet më së shumti nga fillesat e jetës në botën perëndimore?

Sikurse edhe për shumë shqiptarë të tjerë, apo këdo që emigron, fillimet e jetës në një vend tjetër janë të mbushura me emocione. Se pari në planin personal, adaptimi me gjuhën dhe kulturën e vendit dhe në planin profesional njohja dhe përshtatja me kulturën e punës dhe mbi të gjitha studimi i mëtejshëm dhe urgjent për t’u aftësuar më tej për të qenë i denjë për të punuar në një universitet prestigjioz me aparatura dhe teknologji që nuk i njihja më parë kur punoja në Shqipëri.

3. Si ka rrjedhur integrimi juaj dhe në çfarë vështirësi keni hasur?

Kam pasur fatin, në fillimet e jetës jashtë, të punoj në një universitet të admirueshëm sikurse është Universiteti i Padovës dhe mbi të gjitha me një profesor të shkëlqyer, si nga pikëpamja profesionale ashtu edhe humane. Integrimi erdhi gradual dhe mjaft mirë pasi punoja me kolegë me të cilët ndaja jo vetëm problemet e punës por edhe ato familjare, duke qenë me disa prej tyre mjaft i lidhur dhe me të cilët vazhdojmë të ruajmë miqësinë edhe sot. Kjo e bënte dita-ditën time dhe të familjes sime më të lehtë pasi koha jonë ishte gjithnjë e zënë me punë apo aktivitete me kolegë dhe miq.

4. Çfarë lidhjesh mbani me atdheun dhe ç’rëndësi ka ai në jetën tuaj?

Lidhja ime me atdheun ka qenë dhe vazhdon të jetë e fortë. Së pari është lidhje me prindërit, motra e vëllezër dhe familjet e tyre, është lidhje me gjuhën, kulturën e vendit dhe gjithçka ka ndodhur dhe vazhdon të ndodhë, të na gëzojë apo preokupojë. Lidhja ime ka qene edhe në aspektin profesional pasi prej vitesh jam dhe anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe në bashkëpunim me kolegë nga universitetet shqiptare jam i lumtur të jem iniciatori i formimit të NanoAlb dhe drejtor i saj. NanoAlb është njësi e ngritur pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në fund të vitit 2019. NanoAlb është një njësi virtuale e cila grumbullon rreth saj 22 grupe kërkimore shkencore që punojnë pranë universiteteve shqiptare në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut (për më shume informacion shikoni: http://www.nanoalb.al/nanoalb/). Objektivi i saj është të nxisë aktivitetet ekzistuese në ketë fushë apo edhe të nxjerrë në pah/zbulojë aktivitete të reja të lidhura drejtpërdrejtë ose jo me nanoteknologjinë. Mbi të gjitha NanoAlb synon të nxisë edukatën e bashkëpunimit të kërkuar nga një shkencë kaq multidisiplinore, dhe nga ana tjetër është një domosdoshmëri për të pasur sukses në kërkimin shkencor dhe çdo fushë tjetër të kërkimit në Shqipëri. Puna me NanoAlb, krahas detyrave kryesore që kam në Barcelonë si drejtues i një grupi shkencor (https://icn2.cat/en/nanobioelectronics-and-biosensors-group/arben-merkoci) më mban vazhdimisht në kontakt me zhvillimet e shkencës në Shqipëri dhe mbi të gjitha të fushës për të cilën jam i specializuar, nanoteknologjinë.

Image

5. Sa herë në vit mesatarisht vizitoni Shqipërinë?

Në Shqipëri vij 2-3 here në vit (ose më shumë).

6. Sa ka ndryshuar Shqipëria sipas përshtypjes suaj?

Shqipëria ka ndryshuar shumë. Ka ndryshuar shumë në aspektin e infrastrukturës, nivelit të jetesës sikurse edhe mentalitetit të njerëzve (deri diku).

7. Çfarë ju mungon më së shumti nga Shqipëria në mërgim?

Nga Shqipëria më mungojnë familjarët e mi, miqtë. Më mungon gjuha, ushqimet tipike. Do të vazhdoja me një listë të gjatë por tashmë falë edhe udhëtimeve të vazhdueshme por edhe mjeteve të komunikimit kontakti edhe pse ‘virtual’ ka ndryshuar disi ndjenjën e largësisë që kishim akoma më shumë, shumë vite më parë.

Image

Workshopi "NanoAlb and Industrial Applications" - 18 nentor 2020

8. Mendoni të ktheheni një ditë për të jetuar në Shqipëri?

Është një mendim që vazhdimisht është në kokën time por akoma kam shume punë e plane këtu në Spanjë.

9.  Na e përshkruani më gjerësisht angazhimin tuaj profesional?

Aktualisht jam profesor i ICREA dhe drejtor i Grupit të Nanobioelektronikës dhe Biosensorëve në Institutin Katalan të Nanoshkencës Nanoteknologjisë (ICN2 www.icn.cat ), i vendosur në Universitetin Autonom të Barcelonës (UAB www.uab.cat ) në Bellaterra (Barcelonë), Spanjë. Pas doktoraturës (1991) në Universitetin e Tiranës , në fushën e Elektrodave Jono Selektive (ISE) dhe aplikimin a tyre në analizën klinike dhe mjedisore, kam kryer studimet e Postdoktoraturës në disa qendra të tjera hulumtuese evropiane dhe SHBA duke punuar në fushën e nanobiosensorëve dhe teknologjive të quajtura laboratorë-në-një-çip (lab-on-a-chip). Periudhat e postdoktoraturës u pasuan nga pozicionet drejtuese në disa laboratorë të tjerë: (1997-2006) në Universitetin Autonom të Barcelonës dhe që nga viti 2006 në ICN2.

Kërkimi im shkencor është i përqendruar në zbulimet dhe aplikimet e nanoteknologjisë dhe nanoshkencës tek biosensorët. Nanobiosensorët që unë dhe grupi që drejtoj studion bazohen në integrimin e molekulave biologjike (ADN, antitrupa, qelizat dhe enzima dhe bio-receptorë të tjerë) me mikro/nanomateriale e biomateriale të tjera. Ato gjejnë aplikim në diagnostikimin, monitorimin ose mbrojtjen dhe sigurinë e mjedisit etj. Si rezultat i punës së bërë në grup, jam autor i mbi 300 artikujve shkencorë (me impact factor) dhe redaktor i disa librave ("Nanomaterials Based Biosensing, nga Wiley; "Electrochemical Sensors Analysis", nga Elsevier etj ) e shumë kapituj librash dhe Redaktor i ftuar i revistave shkencore ndërkombëtare (Lab Chip, Electroanalysis , Microchimica Acta). Jam bashkëkryeredaktor (Co-Editor In Chief) i revistës prestigjioze të Elsevier, "Biosensors and Bioelectronics", (IF: 9,5), më e rëndësishmja në nivel ndërkombëtar kushtuar kërkimit shkencor, zhvillimit dhe aplikimeve të biosensorëve dhe bioelektronikës. Jam edhe anëtar i bordit editorial të revistave Electroanalysis, Microchimica Acta etj.

Jam përfshirë gjithashtu në mësimdhënie në universitete të ndryshme të botës, kurse të doktoratës në fushën e nanomaterialeve e biosensorëve. Kam qenë anëtar i komisionit për krijimin e kurrikulës së re të Nanoshkencës dhe Nanoteknologjisë në UAB, i pari në Spanjë i cili filloi në vitin shkollor 2010-2011. Kam udhëhequr 30 studentë doktorature përveç udhëheqjeve të tjera duke përfshirë dhjetëra kërkues shkencorë të postdoktaraturës nga e gjithë bota. Kam qenë anëtar ose kryetar i më shumë se 50 komisioneve të doktoratës (PhD) në vende të ndryshme të botës. Gjate punës time këtu në Spanjë jam fitues i shumë granteve /projekteve kombëtare spanjolle dhe ndërkombëtare (Komunitetit Europian, etj.) lidhur me nanomaterialet, aplikimin në biosensorë dhe grupi im po bashkëpunon me shumë laboratorë të njohur në nivel ndërkombëtar në fushën e nanobiosensorëve. Jam përshirë edhe si vlerësues shkencor dhe anëtar i komisioneve të ekspertëve të agjencive të ndryshme ndërkombëtare qeveritare dhe joqeveritare (H2020, ERC, FP6,7 BE, SHBA dhe vendeve të tjera ), anëtar i komitetit shkencor të kongreseve të ndryshme ndërkombëtare, drejtor i disa seminareve dhe konferencave shkencore dhe kam qenë i ftuar për të dhënë leksione plenare në më shumë se 200 konferenca në vende të ndryshme të botës. Jam bashke-krijues i dy ndërmarrjeve teknologjike  (Spin off) të fushës sime të ekspertizës: PaperDrop (http://paperdropdx.com/team/) punon ne fushën e nandiagnostikimit dhe GraphenicaLab (http://graphenicalab.com/) që punon në fushën e printimeve elektronike me interes për sensorë.

Aktualisht jam edhe bashkëorganizator i Edicionit të 21-të të Konferencës Ndërkombëtare të Trendeve në Nanoteknologji (TNT2021) që organizohet nga Phantoms Foundation (Spanjë) me organizues në vend të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Institutit NanoAlb të ngritur pranë saj, mbështetjen e Qeverisë dhe Institucioneve Shqiptare si dhe të Ambasadës Spanjolle në Tiranë. TNT2021 do të jetë vazhdim i suksesit të Konferencave të mëparshme të nanoteknologjisë dhe do të zhvillohet këtë vit në Tiranë nga 4 deri më 8 Tetor 2021 (http://tntconf.org/2021/index.php?conf=21 ).

Me shume për punën time dhe të grupit qe unë drejtoj mund të shikoni tek: https://www.icrea.cat/security/files/researchers/files-maintenance/full_cv_amerkoci_0.pdf, https://icn2.cat/en/nanobioelectronics-and-biosensors-group dhe http://www.nanobiosensors.org/

Konferenca nanoteknologjia Tokyo 29 janar 2020, Arben Merkoci, Arben Merkoçi, nanobiosensor, nanotechnology

Konferenca në Tokyo, 29 janar 2020

10. Sipas mendimit tuaj, çfarë duhet të bëjnë institucionet e Shqipërisë për mërgatën?

Ka shumë për të bërë për mërgatën. Shqiptarët e mërguar jashtë janë një mundësi e shkëlqyer për të ndihmuar Shqipërinë. Ata në fakt e kanë ndihmuar dhe vazhdojnë të japin kontributin e tyre. Ajo që mungon është ndoshta një organizëm/institucion i veçantë në qeverinë shqiptare që duhet ta shikojë me shumë vëmendje dhe të gjejë mekanizma të ndryshme për përfshirjen e shqiptarëve që janë jashtë në aktivitete të ndryshme me interes për vendin. Kjo do të kërkonte një planifikim të mirë, një strategji serioze dhe mbi të gjitha ndjekjen e zbatimit të saj në mënyrë të vazhdueshme. Mundësitë janë të jashtëzakonshme dhe dëshira e shqiptareve për të dhënë kontribut po ashtu.