Sport

Peticion kundër logos, reagime e pakënaqësi në adresë të FFK-së

Shumë pakënaqësi e reagime ka shkaktuar Federata e Futbollit e Kosovës të shtunën, kur zbuloi logon e re të FFK-së.

Një top i futbollit, sikur i vizatuar me laps kimik ngjyrë të kaltërt, gjashtë yje dhe mbishkrimi, Federata e futbollit e Kosovës, është logoja e re e FFK-së, e zgjedhur nga një komision për përzgjedhjen e logos, raporton “Sporti në KTV”.

Konkursi ishte i hapur nga 19 marsi i këtij viti, e deri më 3 prill, me shumë kandidatë dhe opsione të ndryshme.

Por tani pas logos së re, ka shumë të pakënaqur e në mesin e tyre edhe kryetari i tifozerisë së Kosovës “Dardanët”, Lulzim Berisha.

Në Facebook, Berisha ka shkruar:

“Duhet me dal me komunikat FFK dhe me tregu autorin, domethanjen e loges mesazhin, nëse kjo eshte vendos sa ka qen gjalle legjenda, nese deshmohet qe ai e ka zgjedh, une e pranoj me perkulje si logo te pa vdekshme te legjendes”.

Në një postim tjetër Berisha ka shfaqur një mundësi se si do të duhej të dukej logoja e re.

Ndërkohë në rrjetet sociale ëhstë përhapur një peticion online, përmes të cilit synohet ndryshimi i logos së re.

Peticionin e ka iniciuar Adrian Berisha, asamblisti në Komunën e Prishtinës, nga radhët e PSD-së.

“Ky eshte peticioni te cilin sapo e krijova kunder logos se re te FFK-se. Ne si qytetar te Kosoves, nuk duhet te lejojme qe nje logo e tille te simbolizoje nje institucion si Federata e Futbollit te Kosoves”, ka shkruar Berisha në Facebook.

E një anketë në Twitter për logon e FFK-së, e ka bërë edhe faqja që promovon futbollin e Kosovës, Kosovan Football.

Në pyetjen se a e pëlqeni apo jo logon e re të FFK-së, për brenda dy orës, 72 përqind të të anketuarve e kanë vlerësuar negativisht.