Sport

Fushë Kosova gati për pranverën e “nxehtë”, beson në rikthimin në elitë

Njëra ndër skuadrat pretendente për inkuadrim në elitën e futbollit tonë, Fushë Kosova duket se është e gatshme për sfidat pranverore.

Fushë Kosova pjesën e parë të garave e mbylli në pozitën e katërt me 26 pikë të tubuar, aq sa ka edhe Dukagjini në pozitën e tretë.

Pak ditë para fillimi të pjesës së dytë të garave, djemtë nga Fushë Kosova vazhdojnë në punojnë intensivisht në mënyrë që të jen sa më të përgatitur për betejat pranverore që pritet të jenë të ‘nxehta’, sepse janë disa skuadra që do të bëjnë garë të ashpër për pozitat që çojnë në Superligë.

Ndihmës-trajneri i Fushë Kosovës, Arben Jakupi i ka thënë KP-së se gjithçka po shkon mirë gjatë përgatitjeve. Ai thotë se Fushë Kosova nuk e ka objektiv primar inkuadrimin në Superligë, por sipas tij, kjo skuadër që është në dispozicion ka fuqi që të prek elitën e futbollit.

“Ne kemi filluar dikund 20 janar fazën përgatitore. Deri tash ka shkuar mjaft mirë, edhe pse koha ka qenë pak e vështirë, ku temperaturat kanë qenë të ulëta dhe fazën e parë është dashur ta kryejmë në fusha të mbyllura. Realisht ne nuk e kemi objektiv hyrjen në Superligë, edhe pse jemi në vendin e tretë në tabelë, mirëpo, nëse na jepet rasti gjithsesi do të luftojmë për hyrje direkte në Superligë apo përmes barazhit. Realisht ne prej ekipit që e ka filluar kampionatin, kemi disa mungesa se pari kapiteni i ekipit Fitim Krasniqi nuk është më, gjithashtu njëri nga lojtarët me më përvojë, Qëndrim Kida ka pasur lëndim gjatë fazës së parë të kampionatit dhe kemi mbetur pa të, mirëpo, kemi provuar më disa përforcime që i kemi nga angazhuar nga klubet tjera. Janë djem të ri, lojtarë që në një të ardhme mund të kyçen në klub dhe ato ambiciet tona më këta lojtarë mund t’i kryejmë”, tha ai.

Kapiteni i Fushë Kosovës, Burim Shala thotë se është punuar mjaft mirë gjatë përgatitjeve, dhe sipas tij, Fushë Kosova është gati për stinorin pranveror. Shala është i bindur se Fushë Kosova do të jetë skuadër shumë e fortë në pjesën e dytë të garave. Ai është i bindur se Fushë Kosova ka potencial të rikthehet në mesin e skuadrave elitare.

“Fushë Kosova është duke punuar mjaft mirë, më një organizim mjaft të mirë të kryesisë së klubit, më një punë shumë të madhe nga shtabi teknik dhe angazhim të lojtarëve dhe vullnet për punë, jemi duke u përgatitur mjaft mirë, ku besoj se do të jemi ekip shumë i fortë në garë për katër vendet e para dhe jam shumë i sigurt me grupin që kemi dhe punën që po bëjmë do të jemi në mesin e katër ekipeve të para në tabelë. Jam shumë i sigurt se grupin e kemi më cilësi të mëdha. Me ardhjet e reja në grup, ku janë komponuar shumë mirë më grupin dhe besoj se kemi bërë një grup shumë të mirë, më një konkurrencën shumë të shëndosh dhe mendoj se jemi një nga ekipet më pretendente për katër vendet e para”, ka theksuar Shala.

I kënaqur me ecurinë e përgatitjeve shprehet edhe futbollisti Shkëlzen Jashanica. Ai thotë se skuadra ka punuar mjaft mirë gjatë përgatitjeve. Ai mendon se prurjet e reja janë cilësore.

Jashanica thotë se ambiciet e Fushë Kosovës janë inkuadrimi në Superligë, dhe sipas tij, skuadra ka kualitet të arrijë objektivat.

“Jemi përgatitur mjaft mirë, kemi filluar më kohë përgatitjet, klubi është organizuar mjaft mirë, kryesia dhe i gjithë qyteti. Kemi pasur disa prurje që duken mjaft cilësore dhe objektivat i kemi të qarta, jemi në mesin e katër skuadrave më të mira, synojmë ngritjen në elitë pamarre parasysh përmes lojës kualifikuese apo barazhit. Gjasat janë mjaft të mirë dhe orarin e kemi mjaft të mirë dhe më fondin e lojtarëve synojmë ngritjen në elitë. Besojmë shumë fuqishëm, sepse pjesë dërrmuese e ekipit është ekipa që ka luajtur dy herë në Superligën e Kosovës, do të thotë jemi zbrit në Ligën e Parë, prapë jemi ngrit në Superligë, dhe them se vetëm disa lojtarë kanë ndërruar ambient, por për fat baza e ekipit është i njëjtë dhe besojmë fuqishëm në ngritjen në Superligë”, ka pohuar Jashanica.

Ai ka shtuar se Flamurtari, Vëllaznimi, Fushë Kosova, Vushtrria dhe Dukagjini, do të jetë pesëshja që do garoj për katër vendet e para.