Sport

Pochettino refuzon Barcelonën: Jam fans i Espanyolit

Trajneri i Tottenhamit, Mauricio Pochettino ka konfirmuar se nuk do të marrë drejtimin e Barcelonës pasi është fans i Espanyolit.

Pochettino është një nga emrat më të lakuar për stolin e Barcelonës, dhe mund ta zëvendësojë Luis Enriquen që në verë do të largohet nga “Camp Nou”, transmeton Koha.net.

Spekulimet u shtuan edhe më tepër kur Pochettino ishte takuar me presidentin e Barcelonës, Josep Maria Bartomeu gjatë pushimit që kishte Tottenhami për shkak të ndeshjeve kualifikuese për Botëror.

Megjithatë Pochettino insiston se takimi me Bartomeun ishte i rastësishëm.

Image

“Ishte rastësi takimi i të martës së kaluar në një bar në Barcelonë, sepse e njoh shumë moti Bartomeun, madje edhe para se ai të ishte president i Barcelonës, dhe shumë njerëz rreth nesh na panë dhe na përshëndetën. Kaluam pesë minuta së bashku, por ky është realiteti dhe spekulimet pas kësaj është e pamundur t’i ndalësh” është shprehur Pochettino, raporton Sky Sports.

Ai më tutje ka thënë se është fans i Espanyolit dhe për këtë arsye nuk mund ta menxhojë, ndërsa thotë se kjo është sikur unë nga Tottenhami të kalojë në menaxhimin e Arsenalit.

“Unë jam fans i Espanyolit dhe mendoj s’kam nevojë të them më shumë. Është sikur një ditë Daniel Levy të më shkarkojë, për mua do të ishte e pamundur ta menaxhoj Arsenalin. Në futboll, ndonjëherë, e di se është shumë e vështirë të mbash vlerat dhe të jesh besnik me ndjenjat e tua dhe emocionet, por për mua, para se të jem menaxher, lojtar, të jesh besnik është më e rëndësishme të them sinqerisht, dhe unë jam fans i Espanyolit. E dua Espanyolin dhe sikur Tottenhami tani, do të ishte e pamundur për mua që një ditë të shkoj tek Arsenali”, është shprehur Pochettino.

Siç dihet Pochettino ka luajtur, por edhe ka menaxhuar ekipin e Espanyolit.