Sport

West Hami synon ta blejë Shaqirin në verë

Drejtuesit e skuadrës së West Ham United synojnë të bëjnë përforcime të mëdha me të përfunduar ky edicion në Angli.

Listës së lojtarëve të kërkuar nga West Ham United i prin mesfushori i Stoke Cityt, Xherdan Shaqiri. Kështu kanë raportuar mediumet në Britani.

"West Ham nuk e ka siguruar matematikisht mbijetesën në Premier League. Por ka plane të mëdha për sezonin e ri në Angli. Qysh tash drejtuesit kanë nisur të krijojnë një listë të gjatë të lojtarëve që synojnë t'i bindin gjatë verës. I pari në listën e tyre është emri i Xherdan Shaqirit. Shaqiri me Stoke Cityn e ka të vështirë të mbijetojë në Premier League. Stoke është i parafundit në tabelë me 29 pikë. Edhe vetë Shaqiri e ka konfirmuar se nëse Stoke City nuk siguron mbijetesën, do të largohet", shkruan "football.london", përcjell Koha Ditore.

Shaqiri 26-vjeçar është lojtar kyç te skuadra e Stoke Cityt. Por shtatë golat dhe gjashtë asistimet e tij kanë qenë të pamjaftueshme që Stoke City të jetë më lart në tabelë. Me Stoke Cityn ka kontratë deri në verën e vitit 2020. Në Stoke City është që nga vera e vitit 2015.

Përveç West Ham Unitedit, interesim për ish-mesfushorin e Interit, Bayern Muenchenit dhe Baselit kanë shprehur edhe dy skuadrat e tjera angleze, Everton dhe Southampton.