Sport

Fetahu, tash për tash, kandidati i vetëm për kryetar të FBK-së

Arben Fetahu ka konfirmuar kandidaturën e tij për postin e kryetarit të Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) në kuvendin e jashtëzakonshëm që do të mbahet më 5 prill.

Fetahu që është anëtar i Bordit të FBK-së, prej vitit 2013 të premten nëpërmjet një statusi në rrjetin social "Facebook" ka bërë të ditur qëndrimin e tij. Fetahu ka thënë se për të kandiduar për pozitën e kreut të FBK-së, ka kërkuar përkrahjen e klubeve dhe shoqatave të basketbollit, duke refuzuar nominimin e tij si kandidat i Bordit me vota unanime.

"Besoj se shumica prej jush ditëve të kaluara e keni kuptuar nga mediat se unë jam kandiduar për postin e Kryetarit të Federatës së Kosovës. Përderisa Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës, anëtar i cilit jam nga viti 2013, me vota unanime ka përkrahur nominimin tim si kandidat i Bordit në këtë garë, për çka i falënderoj nga zemra, unë nominimin e tyre nuk e kam pranuar. Besimin e tyre e kam konsideruar nder të madh dhe vlerësim të punës dhe kontributit që e kam dhënë në FBK dhe për mua personalisht. Megjithatë, për të garuar për këtë pozitë kam kërkuar përkrahjen e atyre të cilëve u shërben ky institucion - klubeve dhe shoqatave të basketbollit", ka shkruar Fetahu që pastaj ka falenderuar të gjithë ata që e kanë nominuar për kandidaturën e kryetarit të FBK-së.

"Tani, kur kanë mbetur më pak se dy javë deri në zgjedhje, me kënaqësi të madhe ju njoftoj se mbi 2/3 e të gjithë anëtarëve dhe së paku 2/3 e çdo kategorie të anëtarëve të FBK-së i kanë deponuar kandidaturat me emrin tim. Po e shfrytëzoj këtë medium për t'i falënderuar nga zemra 7 nga 10 ekipet e Ligës së Femrave, 6 nga 8 ekipet e Superligës, 6 nga 8 ekipet e Ligës së parë dhe 4 nga 6 Shoqatat e FBK-së për besimin e dhënë. Shpresoj se oferta ime e sinqertë për bashkëpunim në avancimin e sportit të zemrës sonë do t'i nxisë edhe klubet dhe shoqatat e mbetura që t'i bashkëngjiten kësaj përkrahjeje".

Tash për tash, Fetahu është kandidati i vetëm për shkak se ka tubuar gjithsejt 23 nonimine. Ndërsa, Artan Rugova që pretendon të jetë rival i tij në këtë garë ka vetëm katër nominime dhe nuk ka bazë deleguese.

Mësohet se Fetaun prej skuadrave të IP Superligës (meshkujt) nuk e kanë nominuar vetëm Peja dhe Rahoveci.

Sipas Statutit te FBK-së, të hënën zyra ekzekutive u ka dërguar materialet e nevojshme per mbledhjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm të FBK-së, me një pikë të rendit të dites: Zgedhja e kryetarit te ri te FBK-së. Dhe deri të premten në ora 17:00 në zyrën e FBK-së kane arritur 22 nominime per kandidatin e propozuar nga Bordi i FBK-së, Arben Fetahu dhe 4 të tjera për Artan Rugovën.

"Arben Fetahu e ka bazën deleguese nga KB Sigal Prishtina, derisa për Artan Rugoven ende nuk e kemi pranuar bazën deleguese. Sipas Statutit të FBK-së, personi që deshiron të kandidoj për kryetar duhet te siguroj 7 nënshkrime të klubeve/shoqatave për të kandiduar, por ai njëkohësisht duhet të ketë edhe bazë deleguese nga ndonje klub/shoqatë", ka thënë sekretarja e përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku për koha.net.

Afati për dorëzim të fletënominimeve dhe kandidaturave për Kryetar të FBK-së është deri më 30.03.2018 (e premte) në ora 16:00. Më 30.03.2018, FBK do të shpall nominimet për të gjithë kandidatët që kanë marrë nominimet nga 7 apo më shumë anëtarë (nga 32 anëtarë sa i ka gjithsej FBK).

FBK-ja, prej datës 6 mars ka mbetur pa kryetar, pasi Erolld Belegu ka dhënë dorëheqje nga ky post për të vazhduar punën si këshilltar i jashtëm politik i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj. Ai është larguar nga ky post pasi kishte marrë përgjigje nga Agjensioni Kundër Korrupsion (AKK) se është i ndaluar ushtrimi i kreut të FBK-së krahas funksionit që kishte në Qeverinë e Kosovës.