Sport

Marshimi i Kosovës nëpër Serbi

Jo rrallë sportistët kosovarë kalojnë nëpër Serbi për të udhëtuar drejt vendeve të tjera, ku paraqiten nëpër aktivitete të ndryshme. Të enjten për herë të parë një ekip sportiv, madje një përfaqësuese e vendit, ka marrë rrugë për në Serbi, me destinacion final këtë vend fqinj.

Janë hendbollistet e përfaqësueses U-20 të Kosovës që kanë bërë të enjten gjatë tërë ditës udhëtimin historik. Ato të premten (sot) do të shkruajnë edhe një faqe të re në historinë e sportit kosovar, kur të paraqiten në palestrën e kompleksit sportiv Kovilovo, fare pranë Beogradit, shkruan sot Koha Ditore.

Do të jetë kjo hera e parë që një përfaqësuese e Kosovës luan brenda territorit të Serbisë. Kosova do të përballet pikërisht me Serbinë, në ndeshjen e parë të grupit të pestë eliminator për botërorin e juniorëve, që mbahet më vonë këtë vit. Ndeshja Serbi - Kosovë luhet nis në orën 16:00.

Ashtu siç pritej, udhëtimi ishte plot ngjarje dramatike, ndonëse nuk pati ndonjë telash dhe për asnjë moment nuk është cenuar siguria e vajzave dhe e delegacionit. Delegacioni në qendrën sportive Kovilovo ka arritur rreth orës 17:00, pas udhëtimit që zgjati më shumë se shtatë orë. (Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).