Sport

Sampaoli tregon përse nuk i ka ftuar Icardin e Dybalan

Në prag të ndeshjes miqësore me Italinë, trajneri i Argjentinës ka dalë në një konferencë për shtyp, ku mes të tjerash ka folur edhe për mungesën në grumbullim të dy prej sulmuesve më në formë në Serinë A, Paulo Dybala dhe Mauro Icardi.

Jorge Sampaoli i ka mbyllur përfundimisht dyert për Dybalën në botëror, ndërsa për Icardin tha se ende ekziston një fije shprese.

“Për Dybalën menduam se ishte një yll futbolli, por nuk rezultoi kështu. Nuk di se ku qëndron problemi, por ai nuk arriti të përshtatet me idenë tonë të lojës, ose ne ndoshta nuk ditëm ta vlerësojmë mirë. Icardi ka qenë gjithmonë një zgjidhje e parë, por vumë re një diferencë të madhe mbi përshtatjen e tij tek Interi dhe atë në kombëtare. Raportet futbollistike me pjesën tjetër të skuadrës nuk ishin aty ku duhet. Nuk e përjashtoj, por diçka duhet të ndryshojë në mënyrë të shpejtë, pasi në kombëtare nuk kemi shumë kohë për të pritur”, tha Sampaoli.

Më tej trajneri i Argjentinës nuk i kurseu elozhet për liderin e skuadrës, Lionel Messin, por edhe për Gonzalo Higuainin, që u rikthye në kombëtare pas disa muajsh mungesë, transmeton SS.

“Messi është një lider dhe nëse është në formë, atëherë do të jetë skuadra e tij, jo më e imja. Është një futbollist që mund të bëjë diferencën në çdo moment dhe duhet të funksionojmë në shërbim të lojës së tij, për ta vënë në kushte ideale. Edhe për Higuain mund të them se është një nga qendërsulmuesit më të mirë momentalisht, nga i cili presim vërtetë shumë”, deklaroi trajneri i Argjentinës.