Sport

Kosova dorëzohet shpejt përballë Portugalisë

Përfaqësuesja U-19 e Kosovës në futboll e ka nisur me humbje të thellë turneun eliminator "Elite Round" për evropianin e këtij viti dhe me këtë ka zbehur shanset për kualifikim në këtë ngjarje.

Kosova, të mërkurën, pësoi me shifrat 5:0 nga Përfaqësuesja e Portugalisë në stadiumin "Estadio do Bessa XXI", shkruan sot Koha Ditore.

Turneu i Grupit 5 po mbahet në Portugali dhe vetëm përfaqësuesja e vendit të parë do të sigurojë kualifikimin në Evropianin që do të mbahet gjatë verës në Finlandë. Në grup janë edhe Irlanda e Sllovakia.

Thierry Correia (5'), Jose Gomes (10'), Joao Filipe (52'), Gedson Fernandes (90'+2) dhe Mesaque Dju (90'+5) kanë shënuar gola për Portugalinë, që dominoi në të gjitha aspektet ndaj Kosovës.

Futbollistët e Kosovës patën vetëm dy gjuajtje në portë, krahasuar me nëntë të portugezëve, pesë prej të cilave u konkretizuan me gola. (Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).