Sport

Berisha pret që Melbourne të avancojë në Championsin e Azisë

Sulmuesi kosovar Besart Berisha është optimist se Melbourne Victory do të kalojë me sukses fazën e grupeve në Ligën e Kampionëve të Azisë, kanë njoftuar të martën mediumet australiane.

Melbourne këtë edicion është pjesë e Grupit F, së bashku me Shanghai SIPG, Ulsan Hyundai e Kawasaki Frontale, shkruan sot “Koha Ditore”. Pas katër xhirove të zhvilluara, Melbourne zë vendin e tretë në tabelë me pesë pikë, sa i ka edhe Ulsani në pozitën e dytë.

Prin Shanghai SIPG me dhjetë pikë. Deri në fund të kësaj faze grupore kanë mbetur edhe dy xhiro për t'u zhvilluar, kurse dy ekipet e para në grup avancojnë tutje.

“Të gjithë në ekip po ndihemi mirë dhe besojmë që mund të arrijmë diçka këtë edicion. Po ashtu, po shijojmë edhe udhëtimet e gjata në Kinë e Japoni”, tha Berisha, që ka shënuar dy gola në katër ndeshje.