Sport

Unitedi i gatshëm të ofrojë 200 milionë euro për Neymarin

Shifra absurde dhe transferime epokale. Në këtë rast pikë referimi nuk është Kina.

Manchester United është gati të shpenzojë 200 milionë euro për të transferuar në “Old Trafford” Neymarin. Një lëvizje të tillë mund ta bëjë vetëm një klub i fiksuar pas brazilianit.

Sipas Sport.es “Djajtë e Kuq”, janë gati ta paguajnë klauzolën në kontratën e 25-vjeçarit me klubin blaugrana, transmeton Supersport.

Më shumë se bisedime, kanë nisur kontaktet me përfaqësuesit e futbollistit, që nëse do ta pranojë ofertën, do të realizojë një ëndërr të tijën, pra të luajë në Premier League dhe me një pagë vjetore 25 milionë euro neto, shifër kjo dyfish më e lartë se ajo që përfiton te Barcelona.

Mirëpo ky propozim i United, lidhet edhe me pjesëmarrjen e Champions League sezonin e ardhshëm, në të kundërt Neymar nuk do ta pranonte ofertën por edhe klubi anglez nuk do t’i kishte paratë për ta blerë nga Barcelona.

Nëse nuk fiton Europa Leaguen, United do të përfitonte 30% më pak nga marrëveshja që ka nënshkruar me Adidas. Ose më saktë në arkat e klubit do të hynin 94 milionë euro më pak.

Por nëse gjithçka shkon sipas planeve të Mourinhos, asgjë nuk do të mund ta pengojë portugezin të hynte me prepotencë në bisedime me Barcelonën për kartonin e Neymar.

Nëse palët bien dakord, atëherë blaugranat me paratë e siguruara nga shitja e Neymar nuk do ta kishin të vështirë për të afruar në Camp Nou Paulo Dybalan nga Juventusi, apo Marco Verratin nga PSG. Një efekt domino që sugjeron një merkato të çmendur gjatë verës.