Sport

Mayweather do të aplikojë për licencë në MMA

Floyd Mayweather Jr. do të aplikojë për licencë për të luftuar profesionalisht në Artet Marciale të Përziera (MMA) dhe duket mjaft i vendosur për të dalë nga pensionimi që të luftojë në kafaz.

Shumë kanë vlerësuar se boksieri i pamposhtur Mayweather nuk do të jetë i interesuar të ndërrojë sportin, por 41-vjeçari duket mjaft i përkushtuar të bëjë këtë.

Një rimeç luksoz me irlandezin Conor McGregor në serinë më të madhe të MMA-së, UFC, është ambicia e tij dhe pa dyshim se Mayweather është duke nuhatur paratë e mëdha.

“Çdo gjë merr kohë. Ne do të aplikojmë për licencë dhe shpresoj të jemi në gjendje të luftojmë”, ka thënë Mayweather për “TMZ”, shkruan “Daily Mail”, transmeton “Koha Ditore”. “Edhe nëse duhet gjashtë apo tetë muaj stërvitje, pavarësisht se sa, do të bëhem gati. Dua të sigurohem që çdo gjë të bëhet në mënyrë korrekte dhe të duhur”.

Maywaether karrierën në boksin profesionist e ka mbyllur me bilanc perfekt prej 50 fitoreve në po aq meçe.

Mayweather mposhti McGregorin me nokaut teknik në raundin e dhjetë në gusht të vitit të kaluar, në duelin që ishte më fitimprurësi në histori të boksit profesionist. Për McGregorin ishte debutim në boks profesionist.

McGregor tregoi paraqitje solide në debutimin e tij në boks, para se të mposhtej në raundin e dhjetë.

Shumë besojnë se dallimi mes dy luftëtarëve është shumë më i madh në MMA, ku McGregor është i kompletuar në disa disiplina të arteve marciale. Mayweather planifikon të punojë me kampionin e UFC-së në kategorinë velter, Tyron Woodley, për të stërvitur në mundje dhe në luftë në dysheme, por është fillestar në të dyja aspektet.

Por prapë ka interesim të madh për këtë luftë dhe padyshim të dy luftëtarëve do t'u sillte fitime të mëdha.