Sport

Ismet Munishi jep dorëheqje nga Feronikeli

Ismet Munishi nuk është më trajner i Feronikelit, pasi të hënën në mesditë ka dhënë dorëheqje, pas rezultateve jo të mira në stinorin pranveror.

Lajmin për largimin e Munishit e ka konfirmuar për Sportin në KTV, nënkryetari i Feronikelit, Agim Kastrati, ndërkaq kontakti me Munishin ka qenë i pamundur gjatë ditës.

Kastrati ka theksuar se derisa të emërohet trajneri, vendin e Munishit do ta zë Faruk Elshani.

Pas 24 ndeshjeve të luajtura, Feronikeli renditet në pozitën e 4-të me 38 pikë, 6 më pak se Drita, që është e para. Ndërkaq, me Munishin në krye, Feronikeli arriti 3 fitore, 2 humbje dhe 1 barazim.

Ndryshe, Munishi kishte shkuar të Feronikeli me të vetmin qëllim, titullin e kampionit, por nuk ia arriti qëllimit, sikurse nuk ia kishte arritur as me Dritën dhe Hajvalinë.

Suksesi më i madh i tij mbetet titulli dhe Superkupa me Vushtrrinë në vitin 2014.