Sport

Publikohet logoja zyrtare e Kampionatit Evropian U-18, Divizioni C

Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) ka publikuar sot zyrtarisht logon zyrtare të Kampionatit Evropian U-18, Divizioni C në konkurrencën e meshkujve që do të mbahet në Prishtinë prej datës 22 deri më 29 korrik 2018, transmeton Koha.net. Kampionati i tillë mbahet për herë të parë në Kosovë.

Ideja e logos së Kampionatit Evropian U-18, Divizioni C është përgatitur nga Federata e Basketbollit të Kosovës, ndërsa është dizajnuar nga një kompani italiane, e angazhuar nga FIBA.

“Stafi i FBK-së ka punuar intensivisht për përgatitje të logos, dhe pas disa ideve, jemi dakorduar që në logo të përfshihet Hyjnesha në Fron, që simbolizon qytetin e Prishtinës, pra vendin ku po zhvillohet Kampionati, si dhe logoja përmban elemente të flamurit të Republikës së Kosovës, dhe topin e basketbollit. Pra të gjitha këto elemente për ne janë shumë të rëndësishme, andaj edhe besoj se në fund kemi arritur të dizajnojmë një logo, e cila do të pëlqehet nga opinioni i basketbollit në vendin tonë”, ka deklaruar për faqen zyrtare të FBK-së, Elvira Dushku, Sekretare e Përgjithshme.

Duhet theksuar se krahas logos zyrtare, FBK në bashkëpunim me FIBA-n e kanë përgatitur edhe organogramin, më saktësisht Komitetin Lokal Organizativ të Kampionatit Evropian U-18, në krye të të cilit është emëruar, Sekretarja e Përgjithshme, Elvira Dushku. Ajo pas vetes do të ketë një staf prej 15 personave, si dhe rreth 30 vullnetarë, që do të përkujdesen për mbarëvajtje dhe organizim sa më të mirë të Kampionatit.

“Për FBK-në organizimi i një eventi të një niveli të tillë është një sfidë krejtësisht e re. Pas përfundimit të dizajnimit të logos dhe përgatitjes së stafit që do të punojë në këtë Kampionat, ne tani do të merremi me përgatitje sa më të mirë të palestrave, hotelit, dhe konviktit ku do të qëndrojnë zyrtarët e lartë të FIBA-s, si dhe ekipet pjesëmarrëse.

Krahas këtyre punëve, ne kemi edhe shumë punë të tjera, por besojmë se në bashkëpunim me FIBA-n do të arrijmë që në Kosovë organizimi i Kampionatit të jetë në nivelin më të lartë të mundshëm.

E rëndësishme është se FIBA është shumë e kënaqur me FBK-në, me stafin e saj dhe me punën e angazhimin që jemi duke e treguar për organizimin e Kampionatit. Dhe për ne kjo është një motiv shtesë, andaj do të përkushtohemi maksimalisht që deri në ditën e fillimit të garës gjithçka të jetë e gatshme.

Sigurisht se për të arritur këtë na duhet ndihma e institucioneve lokale, dhe atyre qendrore, si dhe e sponsorëve. Ne besojmë se Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Sportit do të na ndihmojnë me mundësitë e tyre, sepse interesi i të gjithë neve është që ta organizojmë këtë event në mënyrën më të mirë të mundshme ”, ka shtuar Dushku.

Krahas Kosovës në Kampionatin Evropian U-18, Divizioni C marrin pjesë edhe Qipro, San Marino, Gjibraltari, Moldavia, Armenia, Irlanda, Malta dhe Monako.

Më poshtë mund të gjeni linkun e faqes zyrtare të Kampionatit:

http://www.fiba.basketball/europe/u18c/2018