Sport

Me një ceremoni spektakolare mbyllen Lojërat e rekordeve

Pas dhjetë ditëve gara sportive, flaka e Lojërave Paralimpike Dimërore është fikur të dielën.

Lojërat paralimpike dimërore “Pyeongchang 2018” përfunduan të dielën me një ceremoni mbyllëse festive spektakolare me fishekzjarre në stadiumin olimpik në Pyeongchang.

Ngjarja theu një numër të rekordeve, kishte më së tepërmi paralimpist nga më tepër shtete që kanë garuar ndonjëherë, më tepër media prezente dhe po ashtu një shifër rekorde të shitjes së biletave.

Për më tepër, 26 nga 49 delegacionet pjesëmarrëse në Pyeongchang fituan nga një medalje së paku, duke thyer rekordin e “Lillehammer 1994”, shkruan “Paralympic.org”, transmeton “Koha Ditore”. Ndërkohë një shifër rekorde prej 21 delegacioneve ka fituar nga një të artë së paku.

Mbrëmja nisi me intonimin e himnit të Koresë së Jugut dhe ngritjen e flamurit kombëtar. U pasua nga muzika folklorike koreane për të rikujtuar momentet e gëzimit dhe hidhërimit në Lojërat Paralimpike Dimërore dhe për të njohur angazhimin dhe përkushtimin e paralimpistëve, banorëve të provincës Gangwon, vullnetarëve dhe stafit.

Çdo delegacion sërish u prit me duartrokitje gjatë defilimit.

Në një bartje simbolike, flamuri paralimpik iu dha Chen Jiningut, kryebashkiaku i Pekinit, nikoqir i Lojërave Olimpike dhe Paralimpike të vitit 2022.

Në fjalimin e tij, presidenti i Komitetit organizativ të “Pyeongchang 2018”, Lee Hee-beom ka përmendur skitarët nordik, jug-koreanin Sin Euu Hyun, që fitoi medaljen e parë të artë paralimpike për Korenë e Jugut në Lojërat Dimërore, dhe amerikanin Daniel Cnossen që fitoi plotë gjashtë medalje olimpike në Pyeongchang, prej tyre një të artë, katër të argjendta dhe një të bronztë... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)