Sport

Xhudistët fitojnë medalje në turne në Slloveni

Xhudisti Shpat Zeka në kategorinë deri në 100 kilogramë ka fituar medalje të artë në turneun “Junior Koproska Open 2018” që u mbajt të shtunën në Dravograd të Sllovenisë.

Të suksesshëm dolën edhe xhudisti Arbër Kullashi në kategorinë deri në 73 kilogramë dhe xhudisjta Aktina Osa deri në 52 kilogramë.

Të dy fituan medalje të bronztë, shkruan sot “Koha Ditore”. Zeka në finale mposhti xhudistin nga Moldavia, Vladimir Zmeu. Deri në finale arriti duke eliminuar Vjeko Jelinekun dhe Radim Dvorkan.

Kullashi për medalje të bronztë fitoi kundër austriakut Nikita Pikulenko. Para se të garonte për medalje të bronztë, Kullashi fitoi tri luftëra, kundër Thomas Grossig, Alex Malets dhe Lev Smagin.

Ndërkohë Osa për medalje të bronztë mposhti italianen Rexele Panzani. Gabimin që e bëri në luftën e parë të cilën e humbi nga Alessia Tedeschi e përmirësoi në repasazh kundër kroates Barbara Brankoviq.

Në këtë turne ishte edhe Fisnik Hyseni, i cili mori pjesë në kategorinë deri në 66 kilogram. Fitoi luftën e parë kundër austriakut Kaly Camata, derisa në çerekfinale humbi nga garuesi rus, Gevorg Karapetian.