Sport

Mourinho kritikëve të tij: Iu kujtoj diçka që quhet trashëgimi e futbollit

Trajneri portugez, Jose Mourinho ka dhënë një intervistë të gjatë për mediat angleze.

Mourinho ka përfunduar në qendër të sulmeve mediatike nga opinion sportiv, por edhe tifozët e Manchester Unitedit, pas eliminimit nga Liga e Kampionëve të martën në mbrëmje, nga Sevilla.

Potugezi ka thënë që do të dalë i pari në fushë në ndeshjen e radhës të United, dhe nuk do të ikë në tunelin e stadiumit për t’u fshehur nga tifozët.

“Unë u them tifozëve që kanë të gjithë të drejtën të thonë opinionin e tyre dhe të reagojnë, por dua edhe t’ju kujtoj diçka që quhet trashëgimi e futbollit”, tha Mourinho, përpara se të vijonte me një monolog 12 minuta të gjatë, pa u ndërprerë nga askush.

“Nuk mendoj se është e drejtë të sulmohem, pasi trofeu im i fundit është marrë para 10 muajsh, për më tepër, kemi mposhtur Chelsean, Liverpoolin, etj., dhe eliminimi nga Sevilla tani shikohet si dramë. Unë jam i bindur për punën e bërë tek United, ashtu siç jam i bindur se duhet të punoj edhe shumë më tepër për të çuar ekipin në vendin që i takon. Mos harroni se mora një klub që vinte pas dështimesh nga sezoni në sezon dhe në 7 vitet e fundit kishte arritur vetëm një herë në çerekfinale”, shprehet ai.

“Trashëgimia në futboll është diçka e rëndësishme, për të shkuar te suksesi dhe unë nuk trashëgova një skuadër të denjë. Duhet të shikoni lojtarët të cilët u larguan pasi erdha unë, se ku luajnë ata sot, ose thënë më mirë nëse luajnë ndonjëherë. Nuk është rastësi që Bayern Munchen, Barcelona, Real Madrid dhe Juventus, janë gjithmonë në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve. Këto klube punojnë me një projekt afatgjatë dhe kanë arritur të krijojnë tashmë traditën e tyre të të luajturit”, thotë portugezi, transmeton KP.

“Unë jam në sezonin tim të dytë dhe mendoj se diçka kam ndërtuar, por e di se duhet ende kohë, për të ndërtuar një Manchester fitues, të aftë të përballet me këdo”, përfundoi Mourinho.