Sport

Llapi – Trepça ’89, derbi i javës në Superligë

Llapi – Trepça ’89 do të jetë kryendeshja e xhiros së 24-të në Vala Superligën e Kosovës në futboll.

Llapjanët që kishin pësuar katër humbje rresht, në mesjavë u këndellën dhe arritën fitore të rëndësishme. Në terrenin e vet, Llapi do të ketë përballë kampionen në fuqi, Trepçën ’89, që nuk di fitore në tri ndeshjet e fundit, transmeton KTV.

Në tabelë, ekipi i Llapit pozicionohet në vendin e pestë me 37 pikë, kurse mitrovicasit janë në të shtatin me dy më pak.

Kryesuesja e tabelës, Prishtina do të udhëtojë në Drenicë për t’u përballur me drenicasit që janë të rrezikuar në mbetjen në elitën e futbollit tonë, pasi janë në vendin e tetë me 33 pikë, 2 më shumë se vendi i 9 që e dërgon skuadrën në barazh.

Gjithnjë ekipi nga Skenderaj ka ditur t’i bëjë problem Prishtinës, e në pjesën vjeshtore Drenica i kishte marrë një pikë në Skenderaj dhe e kishte mposhtur më pas Prishtinën 2-0.

Drita që është përcjellësi i parë i Prishtinës me 41 pikë, dy më pak se kryeqytetasit, do të udhëtojnë në Gjakovë për të luajtur me Vëllaznimin. Gjilanasit nuk dinë për humbje në ligë në seri prej 19 ndeshjeve rresht.

Në duelet e tjera, Besa e pret Gjilanin, Vllaznia është nikoqire e Feronikelit dhe Flamurtari e pret Lirinë.