Sport

Muminoviq fiton të bronztën në Evropianin në Zagreb

Descriptive Text

Xhudistja Erza Muminoviq po vazhdon të tregojë paraqitje të mira në garat për kadetë.

Në kategorinë 44 kilogramë ajo sot ka fituar medaljen e bronztë në Kupën e Evropës që po zhvillohet në Zagreb, transmeton Koha.net.

Federata e Xhudos përmes faqes zyrtare bën të ditur se në një konkurrencë të fortë prej 27 garueseve Muminoviq arriti të dëshmojë cilësinë në këtë turne që njihet si gara më e vlefshme për të shfaqur potencialin e mundshëm.

“Erza garën e filloi me fitore me Ippon kundër garueses nga Polonia Aleksandra Polkoëska dhe garueses franceze Lea Metrot, të cilën e mposhti me Wazari. Në gjysëmfinale u takua me Kampionen Evropiane U18, kroaten Viktorija Ana Puljiz ndaj se cilës pësoi humbje. Në ndeshjen për medalje të bronztë, Erza u rikthye fuqishëm duke e mposhtur me Ippon për më pak se 2 minuta garuesen nga Gjermania, Jule Ziegler”, thuhet në konfirmimin e Federatës kosovare të Xhudos.

Për Muminoviqin kjo është medalja e dytë këtë vit dhe momentalisht është e radhitur në top 5 garueset në ranglistën olimpike për Lojërat Olimpike për të reja, Buenos Aires 2018.

Medaljet në Zagreb në kategorinë 44 kilogramë i ka ndarë kampionia olimpike, Majlinda Kelmendi.