Sport

“Dardanët” shpjegojnë dy qëllimet e banerit që nuk u lejua në “Loro Boriçi”

Mbështetësit e përfaqësueses së Kosovës, “Dardanët” kanë treguar se baneri që nuk u lejua të hynte mbrëmë në “Loro Boriçi” kishte dy qëllime.

Anëtari i kryesisë së “Dardanëve”, Lik Berisha përmes një postimi në Facebook ka shpjeguar qëllimet e banerit “Dardanët janë këtu, Kosova është Kosovë”, në të cilën ishte edhe data e Pavarësisë së Kosovës, transmeton Koha.net.

Berisha thotë se qëllimi i parë ishte kundërpërgjigje e provokimit të serbëve, të cilët kishin shpalosur një baner “Kosova është Serbi”.

Image

Kjo kishte ndodhur në takimin Twente – Feyenoord, dhe siç dihet Bersant Celina është pjesë e Twentes, transmeton Koha.net. Dhe Berisha thotë se kjo ishte gjithashtu edhe një mbështetje për Celinën.

Celina pas atij takimi kishte reaguar duke thënë se një gjë e tillë është e papranueshme dhe nuk ka respekt për gjëra të tilla.

“Këto janë dy idetë rreth banerit: Mesazhi ‘Kosovo is Kosovo’ është kundërpërgjigje për tifozët serb, e dëshmon edhe statusi i Bersant Celinës që është kundërpërgjigjur në mënyrë shumë të mirë në rrjetet sociale, e ne e kemi cilësuar si thënie që duhet të jetë pjesë e koreografisë. Derisa FIFA/UEFA thonë që kjo është politike e mos ta fusim brenda, është jo e kuptimtë përderisa tifozët serbë provokuan shqiptarët pikërisht në ndeshjen e Twentes ku bën pjesë Celina, i cili u ndesh me ta për banerin e shpalosur nga tifozët serbë ‘Kosovo is Serbia’”, ka shkruar Berisha në Facebook.

Image

Ai më tutje thotë se, “pasi që koreografia e dytë ishte me fanellat e lojtarëve, ne e menduam që 24 fanella t’i shpalosim në pjesën e sipërme kurse mesazhin poshtë lojtarëve duke vazhduar me ‘Shhhh...Dardanians are here. Kosovo is Kosovo – 17.02.2008’, dhe u vendosën këto koreografi nga shumë persona. Qëllimi i gjithë kësaj koreografie ishte një falënderim dhe mbështetje për Bersant Celinën nga të gjithë lojtarët dhe ‘Dardanët’”.

Image