Coleman fiton të artën në 60 metra me rekord të kampionatit

Coleman fiton të artën në 60 metra me rekord të kampionatit

05 mars 2018 11:47

Amerikani Christian Coleman ka vendosur rekord të kampionatit, duke fituar të artën në 60 metra vrapim në palestër, në Botërorin e atletikës që po mbahet në Birmingham të Anglisë.

Coleman 21-vjeçar, që në muajin shkurt vendosi rekord të botës në 60 metra me kohë prej 6.34 sekondave, udhëhoqi garën finale nga fillimi deri në fund dhe triumfoi me kohë 6.37 sekonda.

Kinezi Su Bingtian (6.42 sekonda) doli i argjendtë, ndërsa amerikani Ronnie Baker (6.44 sekonda) i bronztë, shkruan BBC, transmeton “Koha Ditore”.

“Kam punuar shumë. Jam vërtet i bekuar. U ndjeva mirë qysh në start”, ka thënë Coleman.

Pritjet ndaj Colemanit u rritën kur ai theu rekordin e botës që ka qëndruar për gati 20 vjet dhe që ishte në pronë të ish-kampionit olimpik në 100 metra sprint, amerikanit Maurice Greene. Ai e kishte thyer rekordin gjatë një gare në SHBA dy javë para Botërorit.

Coleman doli në skenë vitin e kaluar në Botërorin në atletikë në ambient të hapur, kur fitoi të argjendtën si në garën në 100 metra ashtu edhe me stafetën 4x100 metra.

“Askush nuk e mban në mend vendin e dytë dhe e ndjeva këtë dy herë. E kam përdorur këtë si motivim dhe shpresoj që të fitoj disa të arta”, ka deklaruar Coleman.

Pas vendosjes së rekordit të botës në 60 metra në palestër, Coleman 21-vjeçar është vlerësuar si njeriu që mund të thyejë rekordin e botës në 100 metra në ambient të hapur, që e mban xhamajkani Usain Bolt.

Garën në 60 metra në konkurrencën e femrave e fitoi atletja nga Bregu i Fildishtë, Murielle Ahoure.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme