Sport

Eriksson thotë se Anglia nuk do ta fitojë kurrë Botërorin

Ish-trajneri i kombëtares angleze është pesimist për gjasat e “Tre Luanëve” në Botëror.

Anglia është një prej kombëtareve më të mëdha në botë, por edhe përkundër kësaj, ata kanë dështuar të fitojnë ndonjë trofe që nga viti i largët 1966, kur janë shpallur kampionë të botës.

Sipas Sven Goran Eriksson, njeriut që ka drejtuar Anglinë në dy Kupa të Botës, ata nuk do të kenë suksese me kombëtare, për shkak të orarit të ngjeshur të Premier Ligës dhe lodhjes së tepërt të lojtarëve gjatë sezonit.

“Anglia ka një mundësi për të bërë mirë në këtë Botëror. Kanë lojtarë të rinj të talentuar të cilët po luajnë mirë në Premier Ligë”, ka thënë Eriksson.

“Mirëpo Anglia ka gjithnjë një problem për turne të mëdha dhe kjo është lodhja e lojtarëve. E them përsëri, ata nuk do ta fitojnë kurrë Kupën e Botës, përderisa nuk do të kenë edhe pushim dimëror”, ka theksuar ai.

Kujtojmë se Federata Angleze e Futbollit ka vendosur që nga viti i ardhshëm të ketë një pushim për klubet gjatë muajit shkurt.