Botërori “Rusi 2018” me hashash, kokainë e heroinë

Botërori “Rusi 2018” me hashash, kokainë e heroinë

01 mars 2018 13:35

Mbeten pak më shumë se 3 muaj nga fillimi i Botërorit të Futbollit në Rusi dhe problemi më i madh deri tani ka qenë siguria e evenimentit, shqetësim që ka lindur nga dhuna e shfaqur nga disa grupe ultras të tifozerisë ruse, që u pa edhe në Evropianin “Francë 2016”.

Por, në orët e fundit është shfaqur një tjetër problem që nuk mendohej më parë dhe që duhet ta dijë çdo tifoz që do të ndjekë ngjarjen më të madhe futbollistike në Rusi. Sipas “The Moscow Times”, tifozët do të lejohen të përdorin disa lloje lëndësh narkotike. Sipas kësaj të përditshmeje, ekziston një hapësirë në legjislacionin e Unionit Ekonomik Euroaziatik që i lejon tifozët që do të vijnë në Rusi të marrin me vete substanca si marijuana, kokaina e deri te heroina, transmeton tch.

Gjithnjë sipas kësaj të përditshmeje, Unioni Ekonomik Euroaziatik, i përbërë nga Bjellorusia, Kazakistani dhe Rusia do të lejojnë hyrjen e këtyre substancave vetëm nëse janë të shoqëruara me një recetë mjekësore në gjuhën ruse, ku, përveç emrit të pacientit, duhet të shkruhet edhe sasia e lejuar e lëndës narkotike.

Nëpërmjet një komunikate për shtyp, Komiteti Organizativ i Botërorit të Rusisë theksoi për këtë të përditshme se ky organizëm do të vëzhgojë me vëmendje tifozët dhe do të udhëzojë agjentët e policisë që të verifikojnë autenticitetin e recetave të mundshme që do t’u bashkangjiten biletave të stadiumeve.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme