Sport

Raporti i KTV-së për ndeshjen Besa – Trepça ’89

Besa është mposhtur në “Shahin Haxhiislami” nga kampionia në fuqi Trepça ’89, me rezultat 0:1 falë një autogoli të shënuar nga vendësit.

Mysafirët e nisën më mirë përballjen, duke rrezikuar që në minutën e 7-të me këtë gjuajtje të sulmuesit Shend Kelmendi, por për mrekulli reagoi Visar Haxhiaj, raporton KTV.

Në minutën 34, mysafirët kombinuan mirë me njëri tjetrin, e në pasimin final, mbrojtësi Florent Papuqi në tentimin për ta larguar topin në vijën këndore, shënoi gabimisht në portën e vet.

Besa u mundua ta barazojë rezultatin dy minuta më pas, por kapiteni Fetim Kasapi pasi e kaloi portierin, në portën e zbrazët gjuajti plogësht duke bërë që mbrojtësi Përparim Islami të shpëtojë gol të sigurt.

Në shtesë tentoi për mysafirët përsëri Kelmendi, por pa sukses.

Momenti më i dyshimtë i ndeshjes ishte ai i minutës së 61-të. Zëvendësuesi Festim Krasniqi gjuajti me të majtën nga kjo pozitë. U sinjalizua se topi kishte kaluar vijën nga gjyqtari anësor Edmond Zeqiri dhe ai kryesor Besfort Kasumi.

Protesta të shumta pati nga pejanët, dhe kjo bëri që Kasumi të konsultohet përsëri me Zeqirin, e goli u pranua edhe për herën e dytë.

Minuta e 68-të dhe protestat vazhdonin, kurse anësori Zeqiri e dha verdiktin final, që topi nuk e kishte kaluar vijën, dhe goli i Krasniqit i pranuar në fillim, u anulua.

Ndeshja vazhdoi ndërsa u larguan jashtë tribunave nga gjyqtari kryesor trajneri i Besës, Valdet Shoshi, dhe dy zyrtarë të skuadrës mysafire.

Raste për shënim nuk pati deri në fund, por ndeshja u karakterizua me ndërhyrje të ashpra e me kacafytje mes lojtarëve.

Në minutën e 4 shtesë, mesfushori i vizitorëve, Argjend Mustafa u ndëshkua me karton të verdhë, e dy minuta më pas, po i njëjti lojtar ndërdyu ashpër, dhe u përjashtua nga loja, dhe kjo e revoltoi shumë futbollistin.

Në xhiron e radhës, Besa i shkon Vllaznisë së Pozheranit, kurse Trepça ’89 luan derbin si mysafir i Prishtinës.