Sport

Darmian drejt gjigantit italian

Edhe pse është ende muaji shkurt, spekulimet tashmë kanë filluar, aq më shumë për një skuadër si Juventusi që në janar nuk bëri asnjë lëvizje.

Kampioni në fuqi i Italisë është në kontakt të vazhdueshëm me Anglinë dhe pas Emre Can që duket një çështje e mbyllur, emri i radhës që vjen nga Anglia është ai i italianit Darmian. Mbrojtësi që luan me të dyja këmbët, ishte shumë pranë Napolit në janar, por vlera e lartë dhe rezistenca e trajnerit Mourinho bllokuan gjithçka.

Darmian vlerësohet si zëvendësues i Alex Sandros, që me shumë gjasa verën e ardhshme do të provojë një tjetër eksperiencë. Italiani mund të aktivizohet dhe në të djathtë, ku De Sciglio do të mbetet i vetëm me largimin e Stephan Lichtsteinerit në verë.

Juve ka arritur një marrëveshje paraprake me menaxherin e mbrojtësit, ndërsa në fillim të muajit të ardhshëm pritet të nisin kontaktet me Manchester Unitedin.

Darmian ka gjetur shumë pak hapësira në ketë sezon dhe Mourinho është gati te bëjë marrëveshje për t’i hapur rrugën një tjetër manovre në afatin kalimtar të verës.