Sport

Barcelona mposht Eibarin

Barcelona nuk mund të gabonte në tri ndeshje radhazi të Primera Division. Skuadra “blaugrana” fitoi 0-2 në transfertë me Eibarin dhe e çon në 10 pikë diferencën me Atleticon e Madridit, që pret këtë të diel Athletic Bilbaon.

Lionel Messi nxori të lirë Luis Suarezin me një asist perfekt në minutën e 16-të, rast të cilin uruguajani e shfrytëzoi maksimalisht, duke dërguar topin në rrjetë, pasi shmangu edhe portierin.

Skuadra vendase u mundua me të gjitha forcat për të gjetur golin e barazimit dhe në momentet kur po ushtronte presion të vazhdueshëm në gjysmëfushën e Barcelonës pësoi golin e dytë që mban firmën e Jordi Albas 2 minuta para përfundimit të kohës së rregullt. Gjithsesi, duhet theksuar se në të 68-ën Eibari mbeti në inferioritet numerik, pas ndëshkimit të Orellanas me kartonin e dytë të verdhë, transmeton ss.

Në takim e parë të kësaj të shtunë në La Liga Sevilla fitoi 1-2 në fushën e Las Palmasit.