Sport

Presidenti i Skënderbeut distancohet nga kërcënimet ndaj inspektorëve të UEFA-s, kërkon hetime

Descriptive Text

Pas reagimit zyrtar të klubit të Skënderbeut tani ka reaguar edhe presidenti i klubit korçar, Ardjan Takaj.

Takaj siguron se Skënderbeu nuk qëndron prapa kërcënimeve për jetë ndaj inspektorëve të UEFA-s, pas hetimeve për trukime që janë hapur ndaj Skënderbeut, transmeton Koha.net.

Skënderbeu rrezikon të dënohet me dhjetë vjet largim nga garat evropiane, si dhe me gjobë prej 1 milion euro.

Takaj ka kërkuar nga organet e rendit për zbardhjen e këtyre kërcënimeve, pasi është i bindur se Skënderbeu nuk qëndron prapa tyre dhe thekson se është i hapur për bashkëpunim me UEFA-n.

Më poshtë mund ta lexoni reagimin e tij të plotë:

Të dashur tifozë bardhekuq dhe sportdashës të KF Skënderbeu shpreh keqardhjen dhe shqetësimin tim nga "bombardimi" që po i bëhet opinionit publik me lajme dhe sajesa ndaj në emër të Klubit të Futbollit ‘Skënderbeu’ kërkoj të sqaroj edhe njëherë se:

KF Skënderbeu siguron UEFA-n dhe të gjithë partnerët e saj se nuk ka asnjë lidhje apo dijeni për kërcënimin që mund të jetë bërë ndaj personave që po hetojnë klubin tonë. Garancia më e madhe është historia e klubit tonë dhe natyra e qytetit që përfaqësojmë.

Në emër të klubit dua të inkurajoj edhe njëherë organet ligj-zbatuese për zbardhjen e çështjes dhe nxjerrjen para përgjegjësisë të autorëve të vërtetë të kësaj ngjarje.

KF Skënderbeu siguron të gjithë opinionin sportiv dhe në mënyrë të veçantë tifozërinë tonë se po ndjek me vëmendje dhe qetësi hetimin e nisur nga kompani, që kërkojnë të justifikojnë milionat që përfitojnë nga UEFA dhe "klani" anti-Skënderbeu në vendin tonë. Sigurojmë se akuzat e tyre do të rrezohen një e nga një, dhe nëse do të jetë e nevojshme deri në shkallën më të lartë të gjykimit sportiv ose penal.

Si përfundim në emër të klubit ju siguroj se do të vazhdojmë rrugëtimin tonë për të realizuar objektivat sportiv të klubit, por tani na lind dhe detyrimi për të mbrojtur nderin dhe sukseset e arritura deri më sot. Ju sigurojmë së do të shohim përpara për suksese edhe më të mëdha.