Sport

Skënderbeu mohon se kërcënoi inspektorët e UEFA-s

Klubi shqiptar Skënderbeu ka hedhur poshtë akuzat se ka kërcënuar inspektorët e UEFA-s me vdekje për shkak të hetimeve që po bëhen ndaj klubit për trukime.

Përmes faqes zyrtare UEFA ka thënë se inspektorët e saj janë kërcënuar me jetë për shkak të hetimeve ndaj Skënderbeut, që rrezikon të dënohet me dhjetë vjet largim nga garat evropiane dhe 1 milion euro gjobë, transmeton Koha.net.

“Duke marrë shkas nga lajmi i publikuar së fundmi në portalin e UEFA-s, Klubi i Futbollit ‘Skënderbeu’ mohon kategorikisht dyshimet dhe akuzat se persona të lidhur me klubin kanë kërcënuar me jetë inspektorët e organizatës europiane të futbollit. Një veprim i tillë është totalisht jashtë natyrës së qetë, qytetare dhe ‘Fair-Play’ të klubit tonë dhe drejtuesve më të lartë të ekipit”, thuhet komunikatën e lëshuar nga Skënderbeu.

Kërcënohen me jetë inspektorët që po hetojnë Skënderbeun, thotë UEFA

Skënderbeu thotë se është kundër të gjitha kërcënimeve dhe inkurajon organet përkatëse që të ndërmarrin masa.

“Nëse ka pasur kërcënime atëherë KF Skënderbeu inkurajon organet përkatëse t’i shkojnë deri në fund çështjes. Përsa i përket shqetësimit të shfaqur nga UEFA në lidhje me publikimin e informacioneve dhe raporteve, klubi i futbollit ‘Skënderbeu’ mohon të ketë shpërndarë raportin duke njohur natyrën konfidenciale të tij. Raportet e shfaqura në media kanë dalë nga zyrat e UEFA-s për media të caktuara sportive në Shqipëri”, thotë Skënderbeu.