Sport

Bunjaki: Kemi kundërshtar të fortë, por mund të befasojmë

Descriptive Text

Trajneri i Kosovës në futboll, Albert Bunjaki ka thënë se Islanda është një kundërshtar i vështirë, por ka thënë se Kosova mund të befasojë.

Ai ka thënë se Kosova kishte paraqitje të mira ndaj Ukrainës dhe Turqisë, pasi kishin krijuar shumë raste shënimi por që nuk i shfrytëzuan.

“Kemi pasur një paraqitje të mirë ndaj Ukrainës, në të cilën kemi pasur mjaft raste shënimi. Ky është një ekip që po merr përvojë. Kundër Turqisë kemi pasur gjithashtu raste shënimi në pjesën e dytë. Kosova është në ngritje dhe duhet të ballafaqohemi me realitetin se kemi përball ekipe të forta me përvojë. Nuk gjendemi në vendin ku ato janë, por kjo nuk do të thotë se nuk mund të befasojmë”, ka thënë ai, raporton Koha.net.

Bunjaki më tutje ka thënë se Islanda është një kombëtare shembull, që kishte një performancë superiore në Evropian.

“Kam pasur rastin të takoj trajnerin e Islandës, dhe janë mjaft modest dhe profesionist. Islanda jo vetëm që është befasi por edhe shembull për kombëtaret e vogla. Normalisht me performancën në Evropian ata janë superiorë. Normalisht që mund të befasojmë pasi Kosova është në ngritje, dhe shpresojmë të jetë ashtu”, është shprehur Bunjaki.

Ai më tutje ka thënë se ardhja e Besart Berishës, Donis Avdijajt dhe Atdhe Nuhiut kanë shtuar konkurrencën dhe kjo është një gjë e mirë. Por, ka theksuar se nuk duhet t’iu bëhet presion.

“Ardhja e Besart Berishës, Avdijajt dhe Nuhiut e shtojnë konkurrencën. Dhe për neve trajnerët është një mundësi e mirë të kesh dy sulmues shtatgjatë. Këtë komoditet nuk e kemi pasur më parë. Mendoj se duhet t’iu heqim presionin atyre, pasi ne jemi në fazë të hershme dhe është ekip i ri që do të merr kohë. Por, ai do të ishte i lumtur nëse shënon, dhe nëse luan”, ka thënë ai.