Sport

Klubet angleze paguan 150 milionë euro në sezonin aktual për lojtarët e lënduar

Descriptive Text

Klubet e Premier Ligës angleze kanë paguar rreth 150 milionë euro në paga për lojtarët e lënduar këtë sezon, me Manchester Unitedin që udhëheq listën me rreth 18 milionë euro.

Kompania e sigurimeve “JLT Specialty”, që ka kryer studimin ka thënë se klubet kanë rritur shqetësimet lidhur me lëndimet e shumta të lojtarëve.

Sipas të dhënave, vetëm në dhjetor janë lënduar më shumë se 19 futbollistë për javë, me mbrojtësit që kanë shënuar më së shumti raste lëndimesh, 164 deri tash.

Edhe pse lista e lëndimeve te Manchester Unitedi ishte 20, për dallim prej West Hamit që pati 41, pagat e larta të klubit nga Manchesteri e bën atë “humbësin” më të madh financiar në këtë aspekt.

Studimi ka mbledhur të dhëna nga fillimi i sezonit e deri më 5 shkurt. Aty theksohet se Manchester Unitedi pati edhe mesataren më të lartë për lëndim, me gati 1 milion euro për lëndim. Bournemouthi pati mesataren më të ulët me 162 mijë eurosh për lëndim.

Lideri i Premier Ligës, Manchester City ka pasur vetëm 16 lëndime dhe total 442 mungesë të lojtarëve.

Dëmtimet në gju kanë qenë më të kushtueshmet për klubet. Ato u kushtuan klubeve rreth 41 milionë euro. Lëndimet më të shpeshta ishin ato në muskuj me 91 raste.