Sport

Elistratov dedikon medaljen për rusët e suspenduar

Garuesi rus në gara shpejtësie me patina ia ka dedikuar medaljen e fituar në Lojërat Olimpike Dimërore bashkëkombësve të tij të suspenduar nga garat për doping. Semen Elistratov, që fitoi të bronztën duke garuar për skuadrën “Sportistët Olimpikë nga Rusia”, është nën hetim nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) për komentet që ka bërë.

Rusia është suspenduar tërësisht nga Lojërat Olimpike Dimërore për shkak të dopingut të sponsorizuar nga shteti, por 169 sportistë rusë janë lejuar të garojnë si të pavarur në skuadrën të quajtur “Sportistët Olimpikë nga Rusia” (OAR), shkruan BBC, transmeton “Koha Ditore”.

Pasi fitoi medaljen e tij të bronztë në 1500 metra patinim të shpejtë në shteg të shkurtër, rusi 27-vjeçar Elistratov ka thënë: “Kam vështirësi të mbaj lotët. Unë kam thënë më herët se çdo medalje individuale do të jetë e artë apo e platinit për mua. Jam shumë i lumtur me atë që kam bërë, duke marrë për bazë gjithë rrethanat rreth sportit rus. Unë ua dedikoj këtë medalje gjithë atyre garuesve që janë përjashtuar nga këto Lojërat Olimpike në mënyrë aq të rëndë dhe të padrejtë. Kjo medalje është për ju”.

Komentet e tij janë duke u hetuar pasi duket se kanë thyer rregullat për bërje të deklarimeve politike.

Rusia është suspenduar për shkak të dopingut të sponsorizuar nga shteti në Lojërat Dimërore “Sochi 2014”.

“Ne kemi një program vëzhgimi që shikon veprimet dhe sjelljet e skuadrës OAR dhe do të raportojnë prapa në fund të Lojërave Olimpike te Bordi Ekzekutiv. Është skuadra e ekspertëve që do të shikojë për çdo shkelje eventuale”, ka thënë zëdhënësi i IOC-së, Mark Adams.

Për të qenë në gjendje të garojë për skuadrën e OAR-it, sportistët rusë kanë pasur udhëzime strikte të vendosura nga IOC-ja, përfshirë respektimin e vendimit të Bordit Ekzekutiv të IOC-së.

Të tjerat kanë qenë t'i referohen delegacionit vetëm si Skuadra OAR, të kuptojnë se skuadra do të garojë nën flamur olimpik dhe se himni olimpik do të intonohet në çdo fitim të medaljeve. Po ashtu të mos shfaqin simbolet e vendit të tyre.